AKR-ja kërkon rinumërim të votave në Prishtinë

Aleanca Kosova e Re ka kërkuar rinumërimin e votave në gjithsej 238 vendvotime në zgjedhjet e fundit në Komunën e Prishtinës, kjo pasi sipas tyre, ka pasur abuzim me vota nga të cilat ky subjekt politik është dëmtuar deri në dy përqind.

Gzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re në një konferencë për media, tha se kanë prova materiale për të gjitha parregullsitë që janë bërë.

“Qytetarët e Prishtinës kanë treguar një kulturë të lartë sa i përket votimit edhe demokracisë, po ashtu KQZ-ja i ka organizuar mirë zgjedhjet lokale 2021, mirëpo disa individë të caktuar, grupacione dhe subjekte kanë abuzuar me votën e qytetarëve në këtë rast kemi prova materiale se ka ardh deri te parregullsitë. Unë sot do t’i paraqes faktet dhe provat materiale, në këtë rast Aleanca Kosova e Re sipas mendimit dhe provave që i kemi është dëmtuar 1 deri në 2% duke i shpallur të pavlefshme fletat e votimit. Po ashtu, edhe duke manipuluar regjistruar të dhënat jo të vërteta. Në këtë rast po paraqes një shembull edhe pse janë preliminare, d.m.th ende nuk janë rezultate përfundimtare. Mirëpo duke u bazuar në të dhënat që janë të publikuara në ëebin e KQZ-së, shembulli i parë ka të bëjë me vendvotimin 1926E/01R, Aleanca Kosova e Re i ka vetëm pesë vota të publikuara, tash do ta dëshmojë me FRP se i kemi 28 vota,” ka potencuar ai.

Ai po ashtu shton se do të bëjnë edhe ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.


“Jam shumë i bindur se KQZ-ja do të reagojë dhe këtë vendvotim do ta hap për arsye se kemi pa rregullsi…Këtu ka të bëjë me institucion, me KQZ-në, KQZ – ja duhet ta kthejë besimin në këtë rast zgjidhja më e mirë dhe kërkesa jonë decidive është që Prishtina të gjithë vendvotimet 238 të rinumërohen, këtë e themi bazuar në këto fakte dhe parregullsitë e shumta që i kemi që janë bërë publik. Ne po ashtu do të parashtrojmë ankesa bazuar në afatet ligjore në PZAP  edhe si subjekt politik. Po ashtu, edhe kandidatët kanë mbledhur dëshmi nga vëzhguesit të cilët nuk po korrespondojnë me ato të dhënat që janë të publikuara të paraqitura në këtë rast në FRP dhe do t’i parashtrojnë ankesat individuale subjekti AKR,” ka shtuar ai.

Në ndërkohë ai kërkon nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve që të ketë rinumërim të votave në të gjitha vendvotimet në Komunën e Prishtinës, pasi sipas tij, Aleanca Kosova e Re është dëmtuar në masë të madhe.

“Kërkojë nga KQZ-ja që gjithë këtë punë të mirë që e ka bërë të ketë vëmendjen dhe të ndodhë rinumërimi i 238 vendvotimeve, AKR-ja të cilët për mu është e palogjikshme edhe pse ka qenë në komunën e Prishtinës edhe ka qenë partia e tretë në zgjedhjet e 2017 nuk ka pas në të gjitha vendvotimet komisionarë, nga 238 komisionarë i kemi pasur vetëm 58, këtu është dyshimi se është manipuluar me vota të kandidatëve dhe ne për ta mbrojtur demokracinë, duhet t’i mbrojmë votat e kandidatëve dhe të AKR-së. Janë organet e hetuesisë është prokuroria që duhet të merret me këtë rast dhe KQZ -ja. Ne vetëm po paraqesim fakte se ku është dëmtuar Aleanca Kosova  e Re  sepse është dëmtuar në masë të madhe subjekti jonë politik” ka thënë Mehmeti.

Kurse, sa i përket ofertave për koalicione në balotazh, ai tha se për arsye se ende nuk janë shpallur rezultatet preliminare, nuk kanë pas oferta.

Vlen të theksohet se 21 komuna të Republikës se Kosovës kanë shkuar në balotazh në zgjedhjet komunale të 17 tetorit e që raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahen më 14 nëntor.

Lexo edhe

Video