Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka hapur shpalljen publike për qiradhënie të aseteve atraktive në shumë komuna të Kosovës.
Gjithsej 196 prona do të lëshohen me qira si në vijim: në rajonin e Prishtinës 36 asete, në rajonin e Pejës 89, në rajonin e Prizrenit 59, në rajonin e Mitrovicës lëshohen me qira 4 asete dhe në rajonin e Gjilanit do të jepen me qira 8 asete.
Po ashtu, kjo shpallje përfshinë edhe depo dhe objekte administrative në qendër të Prishtinës dhe në Graçanicë, si dhe një depo të derivateve të naftës në Ferizaj. Në rrethinën e Prishtinës ofrohen për qiradhënie edhe disa parcela bujqësore në zonat kadastrale Cagllavicë, Graçanicë, Llapllasellë, Banullë dhe Bardhosh.
Në rajonin e Pejës ofrohen me qira hapësira për zyra, dyqane, ndërtesa administrative dhe parcela bujqësore me sipërfaqe të ndryshme nga 7 ari deri në mbi 7 hektarë në komunat Deçan, Klinë, Istog, Pejë dhe Gjakovë.
Në rajonin e Komunës së Gjilanit, në komunat Ferizaj, Gjilan, Kllokot, Viti dhe Kamenicë, lëshohen me qira asete atraktive, nga të cilat dy asete janë toka bujqësore me sipërfaqe afërsisht 4 dhe 8 hektarë, si dhe tokë, objekte, depo dhe pjesë të objekteve administrative.
Gjithashtu, edhe në rajonin e Mitrovicës ofrohen për qiradhënie toka bujqësore në komunën e Vushtrrisë me sipërfaqe nga 37 ari deri në mbi 4 hektarë.
Ofertat përmes faksit ose postës elektronike nuk do të pranohen. Ofertat bëhen në mënyrë individuale për secilën njësi veç e veç dhe me zarf të mbyllur (një zarf – një ofertë për një njësi) dhe dorëzohen në Zyrën Rajonale respektive, ashtu siç është e theksuar në shpallje.
Për dorëzimin e ofertës duhet të përdoret Formulari për Dorëzimin e Ofertës, i cili mund të merret në Zyrën Rajonale respektive apo Zyrën Qendrore të AKP-së, ashtu siç thuhet edhe në shpallje, apo të shkarkohet nga linku www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,35.