Akil Gjakova, Distria Krasniqi dhe Driton Kuka më të mirët e vitit 2021

Akil Gjakova, Distria Krasniqi dhe Driton Kuka më të mirët e vitit 2021

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në një ceremoni zyrtare ka bërë sot përzgjedhjen e “Laureatëve” të vitit 2021, respektivisht sportistët më të mirë të vitit që lamë pas. Në kategorinë e meshkujve më i miri u zgjodh xhudisti Akil Gjakova, kurse në kategorinë e femrave më e mira u zgjodh Distria Krasniqi.

Vitin e kaluar, këtë epitet e morën basketbollisti Dardan Berisha dhe xhudistja Distria Krasniqi.

Ndërkaq, për vitin 2021 sportistët më të mirë erdhën të dy nga xhudo.

Me këtë rast i pari i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi tha se viti 2021 ishte shumë i suksesshëm për Kosovën dhe se shteti ynë ka fituar shumë në aspektin e marketingut.

“Lojërat Olimpike i mbyllëm në vendin e 42-të nga 205 ekipe olimpike një sukses i jashtëzakonshëm për vendin tonë. Promovimi që iu bë shtetit të Kosovës në Tokio më së mirë e dëshmon raporti i realizuar në detaje nga një kompani e angazhuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës i cili nxjerr statistika unike me ç’rast shuma e kthyer në marketing që i është bërë Kosovës kap vlerën e 8.2 milionë eurove. 2021-ta solli edhe suksese të tjera. 2021-ta solli edhe suksese të tjera ku u garuan grupmoshat e reja, me ç’rast fituam medalje të bronzta në Evropë nga xhudo, karateja, boksi e kick boksi bodybuildingu e isporti”, tha Krasniqi.

Zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani gjatë fjalimit të saj në këtë ceremoni tregoi që pavarësisht sfidave të mëdha të vitit 2021, për sportin kosovar viti që lamë pas ishte i suksesshëm,

Ajo kërkoi nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) solidarizimin e këtij të fundit me komitetin sportiv ukrainas, transmeton KosovaPress.


“Përkundër sfidave të shumta të përbashkëta të cilat na kanë përcjellë gjatë vitit që e lamë pas ishte viti më i suksesshëm i sportit tonë. Dua të shfrytëzojë rastin meqenëse i gjithë komuniteti sportivë jemi sot këtu ta adresoj situatën famëkeqe në të cilën po kalon shteti i Ukrainës. Ju bëjë thirrje të gjithë komunitetit sportiv të mobilizohemi dhe të ofrojmë ndihmën tonë të çfarëdo lloji në shenjë solidarizimi me komunitetin e sportit të Ukrainës”, tha Osmani.

Presidenti i Komitetit Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli tha që edhe Kosova edhe Shqipëria ndihen krenare me sportistët kosovarë që kanë bërë njohjen e shtetit të Kosovës në botë.

“Ne jemi një komb, flasim të njëjtën gjuhë, kemi të njëjtat zakone dhe si një familje gëzojmë bashkë për sukseset tona. Unë ndjehem krenar bashkë me ju, kur Kosova fitoi medaljen e parë olimpike në vitin 2016 me sportisten Majlinda Kelmendi dhe trajnerin më të mirë në botë Driton Kuka. Ajo ishte një arritje historike për ju por edhe për ne, gëzuam e festuam bashkë në Tokio me Distria Krasniqin, me Norën dhe me Dritonin… Kosovën nuk e kanë njohur disa vende në botë por e ka njohur familja olimpike ku 205 shtete olimpike njohin Kosovën dhe valëvitet flamuri i Kosovës në atë parakalim ku e sheh i gjithë rruzulli tokësor”, theksoi i pari i KOKSh Fidel Ylli.

Driton Kuka, i cili u shpall trajneri më i mirë i vitit 2021 tha se këtë çmim ia dedikon vëllait të tij Agron Kuka për të cilin thotë se e ka mbështetësin më të madh.

“Sonte dua t’ia dedikoj të gjitha sukseset Agronit, kryetarit të federatës që është vëllai im që nuk shihet në sipërfaqe, që nuk del në media por besoni që e ka një barrë shumë të madhe”, theksoi ai.

Po ashtu, në këtë ceremoni u ndanë edhe disa çmime të tjera, ku kombëtarja më e mirë e vitit tek meshkujt u zgjodh ajo e hendbollit, kurse te femrat ky çmim i takoi kombëtares së futbollit.

Çmimi “Meritat Speciale” i takoi Majlinda Kelmendit ndërsa trajneri më i mirë u shpall Driton Kuka.

Lexo edhe

Video