Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, doli këtë të mërkurë në një konferencë për mediat nga kampi bazë i kuqezinjve në Kaiserau në Kamen. Ajeti tregoi ndjesitë në prag të Kampionatit Europian dhe theksoi se është gati 100% për të dhënë kontributin e tij. Futbollisti kuqezi foli edhe për tre ndeshjet e grupit të Shqipërisë, duke i cilësuar si finale dhe shtoi se edhe Kombëtarja ka shanset e veta në këtë grup.
“Unë besoj se çdo lojtar që është i grumbulluar ndihet mirë. Është diçka speciale, sidomos kur bëhet fjalë për Kampionatin Evropian. Unë mundohem të jem sa më pranë ekipit. Nëse do luaj ose jo e vendos trajneri. Unë e mbështes Kombëtaren nga jashtë fushe dhe sigurisht nga fusha nëse do të luaj. Dëmtimet që kam pësuar janë pjesë e futbollit. Jam përgatitur mirë, dy ndeshjet miqësore kanë qenë të rëndësishme për mua dhe jam gati 100 përqind”, tha Ajeti.
“Ne kemi shpresat tona në çdo ndeshje. Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne do të japim maksimumin. Si në ndeshjen e parë dhe në të fundit do të mundohemi të marrim rezultat pozitiv. Për momentin kemi analizuar gjithë ekipin e Italisë, në ditët e ardhshme do të specifikojmë dhe lojtarët individualë. Ne duhet të përgatitemi për çdo sulmues. Gianluca Scamacca e pamë në Europa League që është shumë i rrezikshëm. Duhet të shohim edhe të tjerët se nuk luan vetëm një lojtar. Kampionati Evropian është shumë i veçantë. Çdo lojtar e ka ëndërr të jetë pjesë e një Evropiani. Ne kemi fatin të jemi këtu, të japim maksimumin tonë.
Shanset për kualifikim? “Ne gjithmonë i besojmë vetes dhe ekipit e çdo lojtari të grumbulluar. Duhet të japim maksimumin dhe të shohim pastaj se çdo të ndodh.– Kemi tri finale. Çdo ndeshje do të jetë speciale për ne. Do të jetë e vështirë, por shpresojmë të bëjmë diçka speciale”, tha Ajeti në fund.