Agjencia e Kosovës për Akreditim binjakëzohet me atë të Austrisë

Agjencia e Kosovës për Akreditim binjakëzohet me atë të Austrisë

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Agjencia e Akreditimit të Austrisë kanë lansuar projektin e binjakëzimit. Projekt ky që besohet se do të rritë bashkëpunimin në fushën e arsimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë dhe do të lehtësojë shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik të të dyja vendeve.

Në një komunikatë për media të AKA-së thuhet se përfituesit kryesorë të këtij projekti do të jenë Agjencia e Akreditimit dhe të gjithë akterët në arsimin e lartë në Kosovë, duke përfshirë universitetet publike dhe kolegjet private, të cilat së bashku kanë mijëra studentë dhe staf mësimdhënës.

“Përmes implementimit të Standardeve dhe Udhëzimeve Evropiane (ESG) nga Kosova, do të bëhet shumë më i lehtë shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik.

Me zbatimin e standardeve ESG, krijohen hapësira për të lehtësuar integrimin e sistemit arsimor të Kosovës me BE-në, si dhe krijohen lehtësira për njohjen e diplomave të studentëve kosovarë në vendet e BE-së”, thuhet në komunikatë.


Projekti i binjakëzimit ka për qëllim marrjen e përvojave austriake nga AKA, përmes vizitave të ndërsjella, konferencave, trajnimeve dhe konsultimeve në fushën e zbatimit të standardeve të ESG.

Në kuadër të këtij projekti, stafi i AKA-së do të vizitojë Agjencinë Austriake të Akreditimit dhe partnerët austriakë do të vijnë për të vizituar Kosovën, me çrast do të shkëmbejnë përvojat dhe praktikat më të mira të menaxhimit të institucioneve, menaxhimit të procesit, sigurimit të cilësisë dhe mbikëqyrjes së rezultateve.

Aktivitetet e planifikuara në këtë projekt do të mbështesin AKA-në në avancimin e proceseve si: përzgjedhja dhe emërimi i ekspertëve ndërkombëtarë nga Bordi, si dhe mbështetja e ekspertëve gjatë vlerësimeve në terren; synohet marrja e përvojave austriake në funksionimin e Komisionit të Ankesave, i cili do të rezultojë në hartimin e një modeli dhe procedure që do të sigurojnë objektivitet dhe pavarësi të Komisionit të Ankesave si dhe transparencë dhe llogaridhënie.

Ky projekt është realizuar me mbështetjen e projektit Heras Plus dhe është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

Lexo edhe

Video