Aeroporti “Adem Jashari”, qytetarët ankohen për ngritje çmimesh nga agjencitë

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, sonte në ora 24:00 do të pezullohen të gjitha fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova.

Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara tha për KosovaPress se me përjashtim të Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Zvicrës, sonte deri në mesnatë do të realizohen të gjitha fluturimet, ndërsa pas kësaj kohe me vendimin e qeverisë, fluturimet nga shtetet tjera mund të arrijnë, por pa udhëtarë.

Gara tha për KosovaPress se udhëtarët duhet t’i kontaktojnë kompanitë ajrore, në mënyrë që të kuptojnë se a do të sjellin aeroplanë të zbrazur ato kompani.

Të shqetësuar me këtë situatë janë udhëtarët, sipas të cilëve çmimet e biletave kanë arritur deri në rreth 1 mijë euro.


Tahir Çallakaj nga Komuna e Deçanit, i cili udhëton për në Zvicër, u shpreh i shqetësuar me ngritjen e çmimeve që po bëjnë agjensionet, ku sipas tij, çmimi i biletave ka arritur rreth 500 euro.

Sabrie Doda-Hajdari, tha për Kosovapress se edhe pse biletat i kanë pasur kthyese, ato bileta janë shitur mbas dore nga 1mijë euro, duke bërë kështu që udhëtarët të mbesin në aeroport.

Kosova është prekur nga koronavirusi, me 13 raste deri më tash. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa parandaluese për përhapjen e kësaj sëmundjeje, e cila ka prekur pothuajse të gjithë botën. Në mesin e tyre janë edhe pezullimi i fluturimeve ajrore.

Lexo edhe

Video