Administrata e Presidentit amrikan Donald Trump ka pezulluar për tre muaj pothuajse të gjitha ndihmat për të huajit, ndërsa autoritetet amerikane po verifikojnë se cilat nga këto ndihma i përshtaten politikës së presidentit “Amerika e para”. Organizatat humanitare dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, paralajmërojnë se vendimi do të rrezikojë jetë të panumërta në mbarë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë pothuajse 70 miliardë dollarë ndihma të huaja gjatë vitit fiskal 2023, shumica përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Uashingtoni ofron shumicën e ndihmave humanitare në botë, përfshirë atë për mjekimin e pacientëve me virusin HIV përmes programit presidencial PEPFAR, shkruan VOA.
Ish-drejtoresha e USAID-t, Samantha Power, në një video të agjencisë thotë se USAID-i, ndër të tjera, ka reaguar ndaj 84 krizave në 66 vende duke ndihmuar dhjetëra miliona njerëz.
Presidenti Donald Trump bllokoi shumicën e këtyre ndihmave në përpjekje për të verifikuar nëse ato i përshtaten politikës së tij, “Amerika e Para”. Urdhri presidencial ndalon përkohësisht ndihmat për 90 ditë ndërsa kryhet rishikimi.
“Gjatë katër viteve të fundit në kemi parë administratën Biden që shpenzon paratë pa përgjegjësi. Nuk jemi përballur pa arsye me krizë inflacioni në këtë vend. Është detyrë e kësaj administrate të sigurohet që të ketë llogari për çdo qindarkë të shpenzuar”, tha zonja Leavitt.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për të ofruar më shumë detaje se cilat programe ndërkombëtare do të preken nga vendimi.“Sekretari i Përgjithshëm është i shqetësuar mbi ndaljen e përkohshme të ndihmës së huaj nga Shtetet e Bashkuara. Ai bën thirrje për përjashtime shtesë nga lista e programeve të ndaluara për të vazhduar ndihmat për zhvillim dhe ato humanitare për komunitetet e rrezikuara në të gjithë botën. Jetët e tyre varen nga kjo përkrahje”, thotë Stephane Dujarric, zëdhënës i Kombeve të Bashkuara.
Projekti më i madh i USAID-it për vitin fiskal 2023 ishte ndihma jo ushtarake për Ukrainën me vlerë 14 miliardë dollarë. Organizatat humanitare thonë se ato mirëpresin rishikimin e fondeve nga taksapaguesit amerikanë, por jo ndalimin e tyre, ndërsa ndodh rishikimi.
“Shqetësimi ynë i vërtetë ka të bëjë me ndikimin e menjëhershëm të ndalimit të ndihmës së huaj. Nuk duhet harruar se këto ndihma përfshijnë edhe projekte humanitare, si ajo për shpërndarjen e vaksinave, për shembull, për fëmijët në të gjithë botën me qëllim që ata të mos infektohen nga sëmundje ngjitëse”, thotë për Zërin e Amerikës Esther Brimmer nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.