Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat në platformën elektronike ku është treguar se deri më tash janë procesuar rezultatet e gati 70 për qind të vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deri në orën 18:56 janë procesuar 67.44 për qind e vendvotimeve, nga 43 përfaqësi diplomatike, sipas KQZ-së.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa, ka marrë 81.97 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 7.5 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 6.14 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma 1.5 për qind të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon numërimin e votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike.
Numërimi ka filluar të mërkurën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë, për 30 përfaqësi diplomatike me gjithsej 43 vendvotime.
Ky proces i votimit u zhvillua më 8 shkurt 2025 dhe morën pjesë 15 mijë e 352 votues, apo 75.57 për qind e numrit që ishin regjistruar si votues./KosovaPress