Infrastruktura, fokusi më i madh i investimeve kapitale në 15 komuna

Infrastruktura, fokusi më i madh i investimeve kapitale në 15 komuna

Investimet kapitale në 15 komuna të Kosovës gjatë periudhës 2018-2023 kanë pasur rritje të përgjithshme të buxheteve, me një rritje prej 40%.

Kështu është thënë në prezantimin e raportit “Praktikat e 15 komunave në investimet e kapitalit nëpër lokalitet 2018–2023” nga Instituti GAP dhe Helveta DEMOS.

Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu tha se pavarësisht që investimet kapitale në 15 komuna kanë shënuar rritje të buxhetit në këtë periudhë, në anën tjetër pati rënie në vitin 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë COVID-19.

Ai potencoi se shpërndarja e investimeve kapitale sipas fushave tregon një fokus të madh të investimeve në infrastrukturë, e cila mori mesatarisht 65% të buxhetit kapital në 15 komunat.

Salihu tha se nga 15 komunat e analizuara në këtë raport, Kamenica kishte rritjen më të madhe të buxhetit në kapitale në periudhën 2018-2023, ku nga 124 mijë euro në vitin 2018, buxheti i saj arriti në 2.2 milionë euro në vitin 2023.


Ndërkaq, shtoi se Graçanica dhe Juniku ishin të vetmet që kishin rënie buxhetore në po të njëjtën periudhë.

Ai tregoi se Prizreni ishte në krye, si komuna me buxhetin me të lartë kapital, me rreth 185 milionë euro për gjashtë vite, pasuar nga Ferizaj me rreth 70 milionë euro.

Drejtori i Departamenti të Buxhetit, nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Salvador Elmazi tha se komunat kanë përgjegjësi përcaktimin e llojit të projektit.

Elmazi potencoi se në momentin që vlerësohet nga MFPT-ja që projektet e reja të propozuara nga komuna që nuk i plotësojnë kriteret e udhëzimit administrativ, dërgohen tek rezervat e komunës, që të ketë mundësi për rishikime.

Sipas tij, ky raport i GAP- dhe Helvetas Demos ka identifikuar një shpërputhje në investimet në zonat rurale dhe urbane, e që sipas tij kjo është përgjegjësi e  komunave dhe ministria e Financave nuk ka të drejta në këtë pjesë.

Komunat e përfshira në këtë raport janë Drenasi, Dragashi, Kaçaniku, Podujeva, Prizreni, Rahoveci, Ferizaj, Klina, Kamenica, Obiliqi, Peja, Suhareka, Vitia, Juniku dhe Graçanica.

Lexo edhe

Video