Ademi: Fanella e Kosovës respektohet nga të gjithë, asnjë lojtar nuk na ka refuzuar

Muaji mars është muaji në të cilin Kombëtarja e Kosovës në futboll do t’i zhvillojë tri sfida shumë interesante. “Dardanët” do të ndeshen së pari me Lituaninë në miqësoren që pritet të luhet më 24 mars në Prishtinë, dhe pas kësaj dy sfidat e para për kualifikimet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” kundër Suedisë dhe Spanjës më 28 dhe 31 mars.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për KosovaPress ka folur për përgatitjet që janë duke u bërë për këto ndeshje ku ka zbuluar se federata që ai drejton ka bërë të gjitha përgatitjet dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me UEFA-në për mbarëvajtjen e këtyre ndeshjeve

“Po këto dy ndeshje janë jashtëzakonisht shumë të rëndësishme sepse fillon një cikël i ri i Kampionatit Botëror kualifikues ku dy ndeshjet më të rëndësishme i kemi që të dy të para duke mos futur ndeshjen miqësore që e kemi, por e kemi ndeshjen e parë zyrtare me Suedinë këtu dhe pastaj i shkojmë Spanjës. Ne i kemi marrë të gjitha masat si ekip organizues, si federatë. Në kontakt janë me UEFA-në ekipet tona me njerëz kompetentë për organizimin dhe zhvillimin e ndeshjeve. Kemi disa çështje teknike në stadium që do të thotë çështje minore e janë për t’u organizuar. Ne mund të themi lirisht që nga ana jonë nga aspekti ynë organizativ jemi të gatshëm për t’i pritur këto dy ndeshje”, deklaroi Ademi.

Ademi ka thënë se deri më tani sa i përket ndeshjes me Spanjën, të gjitha përgatitjet janë duke u bërë që ajo të zhvillohet në Sevilla, por se kjo mund të ndryshojë varësisht nëse shfaqet ndonjë rregull tjetër që ka të bëjë me pandeminë COVID -19.

“Deri në këto momente po sepse të gjitha parapërgatitjet janë bërë për në Sevilla. Thash që ekipet tona kanë shkuar dhe kanë folur me hotelin në Seville me udhëtim me aeroport te Sevillas si shkon ‘charteri’ ynë dhe sigurisht se deri në këto momente, ashtu siç ishte planifikuar do të zhvillohet ndeshja, nëse nuk ka ndonjë ligj apo ndonjë rregull tjetër, gjithmonë e kam fjalën te COVID-i, përndryshe sa i përket anës tjetër administrative, gjithçka që është përfolur si politike e të tjera, Kosova udhëton për në Spanjë dhe vendoset dhe e zhvillon ndeshjen në Sevilla”, tha Ademi.


Sa i përket ftesave të dërguara tek lojtarët për t’iu bashkuar Kombëtares së Kosovës, Ademi duke folur për KosovaPress ka thënë se deri më tani nuk ka pasur asnjë lojtar i cili ka refuzuar të luajë për Kosovën pasi paraprakisht i ishte dërguar ftesa.

“Deri më sot asnjë lojtar nuk e ka refuzuar ftesën, kujt ia kemi dërguar. Ndërsa ndodh që janë disa lojtarë të cilët janë duke luajtur, për shembull, flasim fillimisht për disa lojtarë që janë në U-21 të Zvicrës. Ata e kanë kampionatin në vazhdimësi, kampionatin e U-21 kualifikues dhe sigurisht që ata do të luajnë me Anglinë lojën e ardhshme dhe duan ta përfundojnë këtë kompeticion sigurisht dhe pastaj kanë të drejtën që të vijnë. Por, të tjerë që e kanë refuzuar, që nuk e duan Kosovën nuk ka pasur. Ne i ftojmë të vijnë, të luajnë për Kosovën dhe ne i ftojmë që të na bëjnë krenarë edhe këtë popull por edhe veten dhe Kosovën sepse shteti i tyre është Kosova dhe këtë shembull duhet ta marrin ata sepse në Kosovë janë të vendit, janë të kësaj toke. Por gjithsesi ne i lëmë secilin që të vendosin me zemër, me shpirtin e tyre me dëshirën e tyre. Deri më tani dy uniforma shpirtërore i ka pasur Kosova, një të UÇK-së dhe tjetrën e ka të Kombëtares së Kosovës. Ajo ka qenë për ta liruar Kosovën, kjo tjetra është për ta bërë krenar popullin e Kosovës”, tha Ademi.

Sa i përket mundësisë që tifozët të jenë të pranishëm në ulëset e stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshjet e Kosovës si vendas, Ademi ka thënë se është dëshirë e UEFA-së që të rikthehen në numër të caktuar tifozët, por që kjo do të bëhet varësisht nga ligjet dhe rregullat për mbrojtje nga pandemia COVID-19.

“Në fakt është dëshirë e UEFA-s që të rikthehen në numër të caktuar, dalëngadalë ose në cilën do formë që është e mundshme, të rikthehen shikuesit nëpër stadiumet e tyre, nëpër ulëset e tyre, por ligjet, COVID-i, do të thotë kjo pjesa shëndetësore, është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe duhet të kemi shumë kujdes sepse po e shohim që kemi të bëjmë me një virus që nuk po e dimë nga po na vjen. .Prandaj do të jemi shumë të kujdesshëm. Dëshira e të gjithëve është që të luajmë para tifozëve dhe tifozët të jenë në shkallët e stadiumeve tona por gjithsesi do t’i respektojmë të gjitha masat, ligjin e shtetit në këtë drejtim”, theksoi Ademi.

Lexo edhe

Video