Abrashi: Rëndësi të veçantë i kushtuam edhe zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit

Abrashi: Rëndësi të veçantë i kushtuam edhe zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit

Ministri në detyrë i Infrastrukturës Arban Abrashi gjatë shpalosjes së punës së tij për këtë vit, theksoi se i kanë kushtuar rëndësi edhe zbatimit të marrëveshjeve të Uashingtonit, ku përmendi autostradën e paqes Besi-Merdare dhe aplikimin për financimin e këtij projekti në BERZh.

Ministri në detyrë Abrashi në konferencën për media të fundit për këtë vit po ashtu tha se pas shumë viteve është shpallur tenderi për autostradën Kijevë-Zahaq, që pritet të përfundojnë punimet brenda dy viteve. 

Abrashi beson autostrada e paqes pritet të nis në vitin e ardhshëm.

“Ne tani më kemi shpallur tenderin për autostradën Kijevë-Zahaq, një projekt madhor për pjesën e Dukagjinit. Synojmë që me procedura të vlerësimit, tenderimit dhe punimeve, ky projekt të realizohet brenda dy viteve. Edhe një projekt tjetër që lidhet me projektet e Uashingtonit, por me një bashkëpunim me BERZH-in dhe Bankën Investive Evropiane, është autostrada Besi-Merdare. Ne para dy javësh kemi aplikuar zyrtarisht në BERZH për financimin e kësaj autostrade dhe shpresojmë që në vitin e ardhshëm edhe t’i shpallim procedurat dhe të fillojmë ndërtimin e kësaj autostrade”, theksoi ai.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës tha po ashtu se për vitin e ardhshëm është paraparë ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan, zgjerimi i rrugës nga Besia deri në Lluzhan të Podujevës.

Abrashi më tej tha se kjo ministri është duke hartuar edhe projektin e kyçjes në autostradën e zonës së Anamoravës, saktësisht në Gërlicë.


Ndonëse, Abrashi foli për tkurrjen e buxhetit për ministrinë e Infrastrukturës për shkak të pandemisë.

“Fatkeqësisht buxheti është prek në masë të madhe, granti qeveritar tani ka rënë në 90 milionë euro, që është granti më i vogël qeveritar që ka ndodhur ndonjë herë. Si do qoftë ne kemi punuar me fonde të tjera të institucioneve financiare që kanë me qenë kompensime të këtij granti. E keqja është që kemi obligime të mëdha të trashëguara gjatë viteve, edhe për këtë vit një numër i madh përcjellën ose transferohen në vitin e ardhshëm. Sepse Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike dhe të gjitha masat çka janë ndërlidhur me rimëkëmbje ekonomike kanë prekur në masën më të madhe ministrinë tonë, duke shkurtuar projektet kapitale dhe obligimet. Kjo ka me pas një efekt në vitin e ardhshëm. Jemi optimist se me rishikimin e buxhetit do të ndodhë”, tha ai.

Ministri në detyrëka folur edhe për rehabilitimin e hekurudhave në vitin e ardhshëm, derisa theksoi se synojnë t’i përfundojnë punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë dhe siç tha kanë paraqitur diku 33 projekte të reja komunale dhe të ministrisë. 

Po ashtu synohet të finalizohen projektet për stacionet e shërbimit apo pompat e benzinës për gjatë autostradave, teksa ka përmendur edhe buxhetimin e projekteve të tjera të cilat ndërlidhen me komunën e Prishtinës.

Abrashi në fund përmendi edhe punët që janë bërë në fushën e aviacionit dhe sigurisë në komunikacion.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.