Abdixhiku pas situatës në veri i propozon Kurtit ta thërret në një takim pozitë-opozitë

Abdixhiku pas situatës në veri i propozon Kurtit ta thërret në një takim pozitë-opozitë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas djegies së qendrës së regjistrimit të automjeteve në Zubim Potok dhe tentimit për ta djegur një të tillë në Zveçan, ka thënë se gjendja e tensionuar në veri kërkon unitet të plotë, prandaj i ka propozuar kryeministrit Kurti që të mbledhë spektrin politik në vend, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore.


Abdixhiku ka shkruar në Facebook se përgjatë pesë ditëve të fundit, LDK ka përcjellur me vëmendje e shqetësim zhvillimet në veri të vendit.

“Përgjatë kësaj kohe, unë dhe kolegët e mi kemi qenë në kontakt me Kryeministrin Kurti, Kryeparlamentarin Konjufca e me zyrtarë të tjerë qeveritarë. Në këto komunikime, përveç se kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje, kemi kërkuar dhe qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës. Mbi të gjitha, si LDK kemi shprehur gatishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha  kapacitetet që kemi, Qeverinë e vendit. Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot. Po ashtu, i bëj thirrje, komunitetit ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë gjithë ç’është e mundur, për të shmangur kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit”, ka thënë ai.

Lexo edhe

Video