Abdixhiku: Nuk kishte pajtueshmëri për t’u shtyrë zgjedhjet

Abdixhiku: Nuk kishte pajtueshmëri për t’u shtyrë zgjedhjet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin e sotëm në mes partive politike me presidenten e vendit Vjosa Osmani, nuk ka pasur pajtueshmëri për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.

Abdixhiku në një konferencë për media pas takimit, u shpreh se LDK në mënyrë vullnetare do të ushtrojë fushatë zgjedhore për vetëm 5 ditë ose nuk do të mbajnë fare, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve të Kosovës.


“Ne besojmë që një skenar politik i prezantuar tash e sa kohë nëpër studio televizive nuk bënë të ekzekutohet për shkak se në pyetje është demokracia. Pra, nuk ka të bëjë me vullnetin e njerëzve, ka të bëjë me pamundësinë për të shtyrë zgjedhjet, sepse krijon precedent të rëndë për të ardhmen demokratike të Kosovës. Nuk kishte pajtueshmëri për të shtyrë zgjedhjeve dhe besoj që kjo çështje është një ditë e mirë për demokracinë, e në anën tjetër ne të gjitha partitë tjera politike do të kujdesemi për shëndetin e qytetarëve, por mbi të gjitha është qeveria e Kosovës”, tha ai.

Sa i përket deklarimit të kryeministrit Albin Kurti se në tetor e nëntor mund të ketë valë të re COVID-19 si pasojë e mbajtjes së zgjedhjeve dhe nëse kjo pastaj mund t’i faturohet opozitës, Abdixhiku u shpreh se kryeministri është përgjegjësi i vetëm për menaxhimin me pandeminë COVID-19.

“Kryeministri i Kosovës është përgjegjësi i vetëm dhe kryesori për menaxhimin e situatës së pandemisë në Kosovë. Ai ka për obligim që bashkë me ministrin e Shëndetësisë me çdo kapacitet shtetëror të nisë vaksinimin masiv në Kosovë, të bëjë vaksinimin mobil, të jep masa motivuese për qytetarët tanë, të jep dënime për ata që nuk e respektojnë këto masa dhe kjo duhet të jetë brenga e tij kryesore”, tha Abdixhiku.

Lexo edhe

Video