Abdixhiku: Mësimdhënësve do t’u paguhen pagat herët apo vonë

Abdixhiku: Mësimdhënësve do t’u paguhen pagat herët apo vonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi mësimdhënësve nuk u janë proceduar pagat për shkak të grevës, duke thënë se  në vend të qetësimit e përafrimit kryeministri Albin Kurti po kërkon tensione.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se në prag të krizave të rënda që e presin vendit, Kurti vendosi t’i tregojë “dhëmbët” për mësimdhënësit.


“Ai nuk mund të jetojë pa krizë andaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit. Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël. Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregojë dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka thënë se mësimdhënësve pagat do t’u paguhen herët apo vonë dhe se do të bëjnë çdo përpjekje të mundshme, për të detyruar Qeverinë që të ekzekutojë pagesat.

“Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do t’u paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së”, ka thënë ai.

Lexo edhe

Video