Abdixhiku deklarohet pas takimit me presidenten dhe shefin e AKI-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se mbrëmë ka pranuar ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takim me të dhe me drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Pas takimit, deputeti Abdixhiku ka shkruar në Facebook se është informuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe për angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë ditës së diel në Banjskë.
“Jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm. Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve. Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë. Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka shkruar Abdixhiku.