Abazi akuzon Qeverinë Hoti se po gënjen për bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovën

Abazi akuzon Qeverinë Hoti se po gënjen për bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovën

Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka vazhduar me kritika në adresë të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike, parti kjo e cila inicioi mocionin e votëbesimit me të cilin u shkarkuar Qeveria Kurti.

E në kohën derisa vendi udhëhiqej nga Qeveria Kurti, ishte bërë e ditur se MCC kishte bllokuar 200 milionë euro fonde për Kosovën, të cilat u zhbllokuan vetëm pasi Qeveria Hoti hoqi masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, për shkak të të cilës ishte bërë edhe pezullimi i këtyre fondeve.

Por, kjo për ish-zëvendëskryeministrin Haki Abazi është gënjeshtër si shumë të tjerat se MCC kishte bllokuar fondet.


“Të gjithë komunikimin me përfaqësuesit e MCC e kemi në emaila, si në takimet e drejtpërdrejta, po ashtu edhe gjatë atyre virtuale përgjatë pandemisë COVID 19, lidhur me punën dhe angazhimin e MCC në disa studime fizibiliteti, që në fakt janë të filluara në mënyrë të gabuar, sepse nuk janë pjesë e ndonjë plani zhvillimor strategjik, ashtu siç nuk ka qenë edhe kontrata me Contour Global të nënshkruar nga qeveria e kaluar e Haradinajt e që Kosova rrezikon të humb koti 19 milionë euro”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Për më tepër, ai ka bërë të ditur se gjatë kohës sa ishte në detyrë në Qeverinë Kurti, edhe zyrtarëve të MCC, por edhe të Ambasadës së SHBA-ve iu kishin  drejtuar çështje specifike dhe problemet që ka mekanizmi nga aspekti menaxherial dhe forma e përcaktimit të prioriteteve dhe arsyet e rezultateve minore.

“Qeveria ilegale po vazhdon të shërbehet dhe operojë me gënjeshtra. MCC nuk i ka 200 milionë euro dhe përgjatë disa viteve, ajo nuk ka shpenzuar as edhe 1 milion euro në Kosovë, e që po ashtu siç edhe me shumë Fonde tjera të shpenzuara pa plan, rezultatet kanë qenë minimale për të mos thënë edhe me efekte negative. Natyrisht duke qenë pa legjitimitet e njëkohësisht edhe pa kurrizore, qeveria ilegale vazhdon të kapet për fije të kalbura për të shpëtuar e mbuluar konfliktet e përplasjet për zyra e karrige. Këto fjali e informata ‘Koti’, qytetarët i kanë dëgjuar që 20 vjet dhe nuk ju besojnë, e tash më kjo është arsyeja që mbi 230 mijë qytetarë kanë nënshkruar për zgjedhjet e reja për të përfunduar ‘Qeverinë e Thaçit’”, përfundon Abazi.

 

Lexo edhe

Video