AAK propozon nga 100 euro për secilin qytetar të Kosovës për ta tejkaluar krizën pandemike

AAK propozon nga 100 euro për secilin qytetar të Kosovës për ta tejkaluar krizën pandemike

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka propozuar Qeverisë në detyrë që të ndajë menjëherë secilit qytetar të Kosovës nga 100 euro për të tejkaluar krizën e shkaktuar nga pandemia Covid 19. Derisa vlerësojnë se masat ekonomike të Qeverisë Kurti janë të pamjaftueshme dhe se implementimi i tyre po shkon shumë ngadalë.

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi në një konferencë për media, tha se i gjithë kjo mbështetje ndaj qytetarëve do të ishte rreth 170 milionë euro. Sipas tij, ato mund të siguroheshin në rritjen e borxhit publik dhe mundësisë së shfrytëzimit të mjeteve nga APK-ja.

Si kurrë më parë, secili qytetar duhet ta ndjejë dorën e shtetit. Ne si AAK propozojmë si mbështetje të menjëhershme ndarjen e nga 100 eurove për secilin qytetar të Kosovës. Mbështetja do të shpërndahej bazuar në ekstraktet familjare në secilën komunë të Kosovës…nga llogaritjet e bëra vlera e kësaj mbështetje di të ishte rreth 170 milionë euro dhe këto mjete duhet të sigurohen sa më shpejt”, tha Abrashi.

Duke e cilësuar si të pamjaftueshme pakon e qeverisë, deputeti Abrashi tha se situata kërkon reagim më të fuqishëm. Për këtë kërkoi një fond shtesë së paku 300 milionë euro.


Pakoja emergjente e qeverisë së Kosovës për ndihmesë në përballje me pasojat e pandemisë në vlerë 170 milionë euro është e pamjaftueshme. Situata kërkon reagim më të fuqishëm dhe të shpejtë se dëmet që po shkaktohen mund të jenë të pariparueshme nëse nuk reagohet menjëherë. Kosovës i duhet një plan i ri ekonomik i qartë dhe efektiv i hartuar nga një task force kompetente”, tha ai.

Për gjitha këto, deputeti i AAK-së kërkoi një seancë të jashtëzakonshme plenare.

Ne si AAK e shohim të nevojshme mbledhjen e Kuvendit të Kosovës për të adresuar masat që duhet ndërmarrë”, shtoi ai.

Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës javën e kaluar ka kërkuar edhe Partia Demokratike e Kosovës. Derisa edhe ata e kanë cilësuar pakon emergjente të qeverisë rreth 200 milionë euro të pamjaftueshme për t’u ballafaquar me krizën ekonomike dhe shëndetësore që ka shkaktuar pandemia Covid 19.

Lexo edhe

Video