AAK dyshon për korrupsion në MI, Berisha: Kurti i ka “meshqit” aktivë për korrupsion nëpër tenderë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) ka ftuar të premten Prokurorinë e Shtetit të nis hetimet për katër kontrata publike kornizë të nënshkruara nga Ministria e Infrastrukturës për siç thuhet mirëmbajtje të autostradave, në këtë rast për autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”. 

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha në një konferencë për media ka thënë se vlera e këtyre kontratave të dyshimta për korrupsion është mbi 400 mijë euro, të nënshkruara nga zëvendësministri Hysen Durmishi dhe nga zyrtari përgjegjës i prokurimit në Ministri të Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi.


“Janë diku katër kontrata në vlerë prej mbi 400 mijë euro të nënshkruara nga drejtori i Departamentit për Prokurim Publik, i cili është shkarkuar nga ministri i këtij dikasteri, Aliu. Dhe i njëjti për të dëshmuar se është i shkarkuar e ka ankesën në Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil. Prandaj, ftojmë prokurorinë dhe hetuesinë që të fillojnë hetime të menjëhershme, sepse këto që po themi janë të argumentuara me kontrata kornizë, që janë nënshkruar nga njeriu i larguar nga puna, nga zëvendësministri Durmishi. Kontratat i kam këtu, do t’i bëj publike”, theksoi Berisha.

Deputeti Berisha tha se dëshiron t’ia bëjë me dije edhe kryeministrit Albin Kurti, se siç tha ai, zyrtarët qeveritarë po e shkelin ligjin dhe janë të dyshuar për korrupsion lidhur me këto kontrata.

“Unë sot jam zgjuar si lodhshëm pak, sepse jemi lodhur diçka ne ‘meshqit’ (meshkujt), por e ftoj edhe Albin Kurtin me i treguar se meshkujt e tij janë shumë aktivë, por duke shkelur ligjin, sepse ka dyshime që është hajni e pastër. Janë ankes-kontrata të mirëmbajtjes, ose kontrata kornizë të mirëmbajtjes. Janë këtu katër kontrata”, theksoi ai.

Të katër kontratat kornizë të prokurimit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilat u bën publike të premten nga GP i AAK-së, janë të firmosura me operatorët ekonomikë më 25 korrik 2022.

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.