AAK: Bashkimi Evropian me qasje injoruese ndaj Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të iniciojë debat parlamentar nga i cili synon të nxjerrë edhe një rezolutë, sipas tyre, për pozicionin e Kosovës drejt integrimit evropian. Ky veprim i AAK-së vjen pasi në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, nuk kishte ndonjë vendim sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas shefit të deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri, qeveria duhet të veprojë lidhur me këtë padrejtësi që po i bëhet Kosovës, duke mbetur vendi i vetëm që nuk gëzon lëvizjen e lirë në vendet e BE-së.

Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se AAK e sheh me shqetësim të madh qasjen e Bashkimit Evropian, që ai e ka quajtur injoruese.


 “AAK e sheh me shqetësim të madh qasjen injoruese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe trajtimin jo serioz të kërkesës sonë të drejtë për lëvizje të lirë dhe liberalizim të vizave. Ajo që dimë është se kushtet e parapara nga Komisioni Evropian janë përmbushur tani e shumë vite më parë… Shohim një mos reagim të qeverisë karshi kësaj teme, a ishin në opozitë kritikonin e sulmonin, tani që janë në qeveri nuk pati asnjë reagim”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosreagim, duke deklaruar se të njëjtit derisa ishin në opozitë kishin kritika lidhur me këtë temë.

Tahiri ka thënë se AAK do të iniciojnë debat parlamentar dhe rezolutë me qëllim që të adresojnë këtë çështje në nivel më të lartë.

“Ne e kemi për vizitë në Kosovë edhe emisarin për dialog, zotin Lajcak, pyetja shtrohet, çka do t’u thotë ai zyrtarëve të qeverisë, partive parlamentare në raport me këtë temë, nuk mjafton vetëm të ndjehet  keq që nuk po ndodh, por duhet të veprohet në këtë temë. Kuvendi i Kosovës përmes iniciativës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës duhet të miratojë një rezolutë të qartë për pozicionimin tonë drejt integrimit evropian por njëkohësisht edhe për shtrirjen e disa pyetjeve, disa çështjeve të cilat janë me interes të dihet nga anëtarët e Parlamentit Evropian, Është e padrejtë që ne të privohemi tash e sa vite vetëm pse disa shtete nuk duan të mbështetin, pra ne jemi peng i politikës së brendshme dhe jo peng i mos përmbushjes së kushteve për liberalizim, qeveria duhet të veprojë”, ka thënë ai.

Lexo edhe

Video