A mund ta shpëtojë “Trumpi gjerman” Evropën?
Bota
Lexohet për: 4 min.
A mund ta shpëtojë “Trumpi gjerman” Evropën?
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Kreu i CDU-së Friedrich Merz është kandidati kryesor për kancelar në zgjedhjet e parakohshme në shkurt.

Sipas sondazheve nga më shumë se tre institute të njohura, Merz dhe CDU kanë  epërsi të konsiderueshme ndaj rivalëve të tyre pasi Të Gjelbërit dhe udhëheqësit e tyre luftojnë për të qëndruar të rëndësishëm në garën e ardhshme politike.

Siç shkruan Welt, sondazhet tregojnë se CDU me Merz në krye kryeson bindshëm me më shumë se 30 për qind të mbështetjes, ndërsa koalicioni aktual qeverisës ka shënuar rënie të ndjeshme.

Robert Habeck, kreu i Të Gjelbërve, shprehu publikisht gatishmërinë e tij për të mbetur "të paktën zëvendëskryeministër", gjë që shumë e interpretuan si një shenjë dobësie.

Qëndrimi i fortë i Merz kundër agresionit rus në Ukrainë dhe premtimet për një politikë të jashtme më të sigurt, janë shndërruar në temë kryesore të debatit politik në Gjermani. Merz ka kritikuar vazhdimisht kancelarin aktuale Olaf Scholz për “politikë tepër e kujdesshme ndaj Ukrainës”.

Njoftimet e tij se ai do t'i sigurojë Ukrainës raketa Taurus pa kufizime të rrezes së veprimit, simbolizojnë një zhvendosje drejt një roli më të fortë për Gjermaninë në skenën botërore.

Vizita e tij në Kiev, gjatë së cilës ai kritikoi ashpër ngadalësinë e qeverisë në dhënien e ndihmës, forcoi më tej imazhin e tij si një udhëheqës që nuk pranon "gjysmë masat".

Pavarësisht nga popullariteti në rritje, politikat e Merz po shkaktojnë shqetësim si brenda Gjermanisë ashtu edhe mes partnerëve të NATO-s. Kundërshtarët e tij paralajmërojnë se dërgimi i raketave Taurus mund të shkaktojë përshkallëzim të rrezikshëm të luftës dhe të dëmtojë më tej raportet me Rusinë.

Por Merz dhe mbështetësit e tij pretendojnë se vendosmëria është çelësi për të kontrolluar Rusinë dhe rivendosur stabilitetin në Evropë.

Pse disa e quajnë Merz si "Trumpi gjerman"?

Merz është quajtur "Trumpi gjerman" në qarqet mediatike dhe politike, pasi që ky krahasim buron nga pikëpamjet e tij konservatore, retorika populiste dhe theksimi i interesave kombëtare që të kujton stilin e Donald Trump.

Për shembull, një artikull i nëntorit 2020 në Politico titullohej "Takoni gjermanin Donald Trump", duke theksuar pikëpamjet konservatore të linjës së ashpër dhe ambicien e Merz për të udhëhequr CDU-në.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se Merz ka një karrierë të gjatë politike dhe ndryshon në disa aspekte - politika dhe qasja e tij u formuan nga konteksti specifik politik dhe social gjerman.

Merz mund të përcaktojë të ardhmen e Gjermanisë dhe Evropës

Suksesi i Merz në politikën gjermane nuk do të matet vetëm me premtimet e tij parazgjedhore, por nëse ai arrin të gjejë një ekuilibër mes vendosmërisë dhe përgjegjësisë.

Propozimet e tij sugjerojnë shndërrimin e Gjermanisë në një lojtar kyç në skenën evropiane dhe globale. Nëse Merz mund të arrijë një ekuilibër midis vendosmërisë ushtarake dhe moderimit diplomatik, ai mund të ripërcaktojë rolin e Gjermanisë si udhëheqës i botës së lirë.

Nëse dështon, Gjermania rrezikon të ndahet edhe më shumë mes atyre që bëjnë thirrje për siguri përmes forcës dhe atyre që besojnë në dialogun si e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme.

Zgjedhjet e 23 shkurtit nuk janë vetëm një pikë kthese e brendshme politike, por një test që përcakton drejtimin e Evropës në një periudhë sfidash intensive globale. Sigurisht, Merz duhet të përmbushë parakushtin bazë - të fitojë zgjedhjet.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025