4-Fourth

,

Drejtat Autoriale

,

Lajme

,

Tema

,

Video

Kosova ka një rezervë shtetërore me produkte bazike, por po del që mos të jetë e mjaftueshme në rast të ndonjë fatkeqësie ose mundësisë së shfaqjes së pandemisë së koronavirusit edhe në Kosovë.

Në rezervën shtetërore, janë të grumbulluara ose në mbajtje produkte agro-ushqimore, prej kripës e deri të mishrat e konservuara ose të gjitha llojet e produkteve ushqimore, gruri pastaj edhe nafta e barnat esenciale.

Drejtori i Departamentit të Rezervës Shtetërore në Ministri të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Arton Muçaj thotë për KosovaPress, se në bazë të numrit të popullsisë bëhet edhe furnizimi i këtyre mallrave.

Ai ka siguruar se në rezervë ka mallra agro-ushqimore me mijëra tonelata, naftë me miliona litra, grurë me mijëra tonelata, të cilat i posedojmë nëpër stoqet e departamentit të rezervave.

Por, për sasinë e saktë dhe vendin e deponisë, Muçaj refuzoi të tregojë duke thënë se është konfidenciale.

“Unë thash, për vlerë, ne kemi me miliona litra naftë, kemi me mijëra tonelata mallra ushqimore, kemi barna esenciale me mijëra pako… Sasia dhe vlera e mallrave ushqimore konsiderohen si informatë e klasifikuar, sekret shtetëror, por me përgjegjësi të plotë e them se kemi me milionë dhe me mijëra gjëra ushqimore”, thotë Muçaj.


Ndërsa, kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë për KosovaPress se nuk ka rezerva të mjaftueshme.

“Ne si shtet i ri megjithatë kemi arritur të bëjmë rezervë shtetërore që është e rregulluar me ligj, por sasia është simbolike. Varësisht se si e kalkulojmë, na del se kjo rezervë nuk na mjafton as për dy orë, por as për 20 mijë qytetarë. Megjithatë, është rezerva dhe unë këtë e kam përmendur para tre ditësh mundësinë e rezervave të shtetit, që me këtë të ndikojmë në çmime ose t’i pengojnë rritjen e çmimeve. Nuk ka rezervë të mjaftueshme”, thotë Kaçaniku.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thekson se duhet të bëhet transparente rezerva shtetërore dhe të shpërndahet atëherë kur është e nevojshme.

“Në rastet që ka kufizime të eksportit nga një vend, duhet të kemi alternativa sidomos për produktet që nga një herë dinë me qenë problematike, që mund të jetë edhe gruri, por unë mendoj edhe rekomandimin të cilin e kemi dhënë gjatë ditës, rezerva shtetërorë, duhet me ditë se ku i kemi ato dhe sa i kemi. Edhe duhet të jemi të përgatitur për aktivizim të tyre në rast të nevojës”, thotë Rukiqi.

Në dy ditët e fundit, shumica e qytetarëve në vend, nga paniku për mungesë të mallrave, ia kanë mësyrë dyqaneve për furnizim me mallra bazike, edhe pse bizneset në disa raste rritën çmimet.

Lexo edhe

Video

error: