Kryetarë, nënkryetarë e zyrtarë publikë të komunave tashmë zyrtarisht i janë futur garës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Monitoruesit vlerësojnë se këto kandidatura po shfrytëzohen më shumë për mobilizim të elektoratit. Gjithashtu, thonë se angazhimi i tyre në fushatë mund të shkaktojë ngecje në aktivitetet komunale.
Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli thotë se, rëndom, zgjedhjet e përgjithshme e pasivizojnë edhe nivelin lokal të qeverisjes.
“Zakonisht zgjedhjet e pasivizojnë edhe nivelin lokal të qeverisjes për shkak se të gjitha resurset e partive politike në komunat ku ata qeverisin, vendosen në funksion të fushatës zgjedhore, pra pjesëmarrja e kryetarëve, drejtorëve, asamblistëve dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë nëpër tubime publike, nëpër aktivitete të tjera të fushatës. Unë besoj që praktikisht do të kemi paralizim të punës, përveç projekteve të cilat do të shihen në funksion të fushatës zgjedhore", thotë Cakolli.
Koordinatorja në Grupin për Studime Juridike, Blerina Istrefi thotë se kryetarët e komunave që tashmë kanë shpallur kandidaturën për deputetë, janë fokusuar në marrjen e këtyre pozitave për çka thotë se mund të ketë ngecje në punët dhe aktivitetet komunale.Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i cili është pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për KosovaPress se organizimet e tubimet po mbahen “pasdite dhe nuk po pengojnë në kryerjen punëve në komunë”.
"Kur fillojmë fushatën zyrtare dhe fushatën intensive të janarit, unë besoj do ta pezulloj pozicionin tim, ose thënë ndryshe do t'ia bëjë një pauzë, sepse të gjithë do të jemi në fushatë. Nuk besoj që do të ketë ndonjë efekt të madh në punët në Prishtinë. Gjithsesi është kryetari i kryeqytetit i cili është i fokusuar në projektet e Prishtinës dhe që po e udhëheqë punën rregullisht”, thotë Zogaj.
Për këtë temë, KosovaPress ka pyetur edhe Komunën e Mitrovicës ku kryetari Bedri Hamza është kandidat për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, por deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk ka marrë përgjigje.
Sipas tij, kjo po bëhet më shumë për mobilizim të elektoratit dhe për të parë se si qëndrojnë edhe në zgjedhjet lokale.
Afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë është mbyllur më 11 dhjetor.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...
https://kosovapress.com/verifikimi-i-kandidateve-per-deputete-kqz-tregon-per-procesin-e-certifikimit