Me rritjen e numrit të mediave në Kosovë, në veçanti atyre online dhe me avancimin e teknologjisë, është rritur mundësia e përhapjes së lajmeve të rreme.
Përveç të rriturve, lajmet e pavërteta atakojnë edhe moshat më të reja.
Elaborimi përmes shembujve dhe fotografive i termave dezinformim, keqinformim, propagandë, mashtrim e të tjera ishin ndër pikat kyçe të trajnimit në kuadër të projektit “Edukimi Mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”.
Nxënësit bashkë me profesorët e tyre nga komuniteti turk në Prizren, përmes këtij trajnimi mësuan si të dallojnë lajmet e rrejshme, qëllimin e tyre, e poashtu zhvilluan mendim kritik sa i përket përmbajtjeve nëpër media online dhe rrjete sociale.“Sot, gjërat për të cilat folëm dhe që më pëlqeu më shumë ishte informimi rreth informacionit, dezinformimi si dhe propaganda që mund të përdoren nga mediat për të ndikuar dhe influencuar te njerëzit, ishte interesante. Unë patjetër i njihja këto terminologji, por nuk dija si t'i përkufizoja gjithashtu. Kështu që tani sigurisht që ndihem sikur kam mësuar shumë gjëra, më pëlqeu. Sigurisht që ka shumë lajme të rreme, jo vetëm në Kosovë por në mbarë botën dhe mendoj se është një gjë e mirë që të rinjtë po trajnohen për këtë. Për shembull, diçka për të cilën kam lexuar kohët e fundit ishte se Gjermania ishte gati të mbyllte të gjithë kufijtë e saj më 17 shtator, por kjo është krejtësisht një gënjeshtër. Dhe ky është vetëm një shembull i dezinformimit që përdoret dhe që ka për qëllim njerëzit”, tha Celina.
Edhe nxënësi Burak Grosa derisa potencoi se ka marrë njohuri se nuk duhet besuar gjithçka që lexon në rrjete sociale, tregoi se ka hasur nëpër lajme të rreme për luftën në Gaza.
“Sot morëm pjesë (në trajnim) me nxënësit e komuniteteve që përdorin mediat sociale. Ne si drejtori komunale e arsimit kemi bashkëpunimin me ambasadën Amerikane dhe po përkrahemi me këto trajnime shumë të rëndësishme. Besoj që për nxënësit ka qenë shumë i mirë trajnimi për nxënësit që po përdorin mediat sociale dhe kemi kaluar mirë”, tha Kovaç.