80 për qind e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare dhe partiake janë kusht për punësim

80 për qind e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare dhe partiake janë kusht për punësim

80 për qind e qytetarëve të Kosovës të anketuar nga UNDP besojnë se lidhjet familjare, ato partiake dhe ryshfeti janë kusht për punësimin në institucione publike. Kurse vetëm në 33 nga 85 raste është respektuar rekrutimi i këshilluar nga profesionistët e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë. E kjo është dëshmi se politikanët duhet të angazhohen në mënyrë që të kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.

Kështu u tha në diskutimin virtual me temën “Rekrutimet (jo)meritore në sektorin publik: a do ta ndryshojnë institucionet e reja rrethin vicioz në rreth të virtytshëm?”, të organizuar nga Instituti GAP dhe Kosovo 2.0.

Gjatë këtij diskutimi u tha se angazhimi politik nuk duhet të jetë garantues për vendin e punës, kurse u bë e ditur se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë projektin e saj për të ndihmuar institucionet publike në rekrutimin e stafit edhe gjatë 3 viteve të ardhshme.

Drejtori i Hulumtimit në Institutin GAP, Jeton Mehmeti bëri të ditur se ka një numër shumë të vogël të qytetarëve që besojnë se rekrutimi i punëtorëve në sektorin publik bëhet  në bazë të meritokracisë.

“Ajo çfarë sugjeron raporti jonë tregon se besimi i qytetarëve në punësimin në sektorin publik është shumë i ulët. Rreth 80 për qind e qytetarëve mendojnë se punësimi në sektorin publik, kusht kryesor kanë lidhjet familjare, lidhjet partiake dhe ryshfeti, përderisa vetëm 20 për qind e tyre mendojnë që përgatitja profesionale, shkollimi dhe përvojat në punë janë faktorët të cilët do të ndihmonin ën punësim në sektorin publik”, tha ai.

E Bashkimi Evropian mbetet i zhgënjyer me institucionet e Kosovës sa i përket punësimit në bazë të meritokracisë.

Luigi Brusa, përfaqësues i Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se përgjithësisht në Ballkanin Perëndimor cilësia e burimeve njerëzore, në veçanti në institucionet qeveritare nuk është në nivelin e duhur. Për këtë, Brusa tha se perfomanca më e mirë do të marrë financim më të mirë.

Ai potencoi se në Kosovë nuk ka përgatitje të mirë të projekteve, dhe se disa nga to do të shtyhen.

Për Brusa-n, nëse nuk ka rekrutim të bazuar në meritë, atëherë nuk do të ketë mungesë të madhe të profesionistëve, të cilët do të kalojnë në sektorin privat apo do të shkojnë jashtë vendit. Kjo, sipas tij, është zhgënjyese dhe e papranueshme.


E problemi kryesor sipas tij është fakti se Kosova nuk ka punësim të bazuar në meritë. 

“Unë jam në Kosovë qe 4 vite dhe ndjenja është që shumë herë merita nuk është vlerësuar dhe lidhja, asociimi me politikën ekziston. Dhe, iniciativa e Ambasadës Britanike është përkrahur me fjalë, me pallavra nga politika e Kosovës, them me fjalë sepse kur vjen puna të përzgjidhen kandidatët më të mirë, ata shpërfillen dhe, natyrisht në parlament kur ka emërime, deputetët nuk votojnë sepse kanë një motiv të qartë, sepse marrin urdhër nga partitë politike. Nuk po bëj me gisht nga një parti, por për fat të keq, mentaliteti klanor në Kosovë është një sëmundje e keqe”, tha ai.

Sipas tij, njerëzit e politikës nuk janë në gjendje të identifikojnë një person të duhur. Ai tha se Kosova në këtë mënyrë po e dëmton veten.

E në shtetet e vogla siç është Kosova, Brusa tha se do të duhej të ishte më lehtë që të mbështeten parimet e transparencës.

“Unë kam mësuar nga raporti që vetëm 33 nga 85 raste rekrutimi i këshilluar nga projekti nga profesionistët e Mbretërisë të Bashkuar janë respektuar dhe kjo është për keqardhje. Perfomanca e Kosovës në këtë drejtim është e tmerrshme. Dhe, për këtë rekomandojë që njerëzit të kërkojnë nga politikanët një transparencë më të madhe sepse ajo është mënyra që ju të përfshiheni aktivisht. Këshilla nr. 1 është votoni, nr. 2, mendoni për transparencën, për ndershmërinë, për meritat. Ka deputetë që në të kaluarën kanë ngritur shqetësimin për këto parime. Pavarësisht në cilën parti jeni, mbështetni deputetët që kanë qenë të gatshëm të mbështesin parimet e qeverisjes së mirë”, u shpreh ai.

E për panelistinAgim Maraj shpërfaqja e fenomeneve negative është sukses më vete i projektit të Ambasadës Britanike. Ai bëri të ditur se planifikojnë që të angazhohen edhe në 3 vitet e ardhshme për rekrutimin në institucionet publike në Kosovë.

“Sipas anketës të UNDP-s, afër 80 përqind e të anketuarve mendojnë se emërimet janë politike. Kjo është shumë e rrezikshme dhe duhet të ndryshojë. Profesionistët nuk duhet parë politikën apo angazhimin politik, si mënyrën e vetme për t’u punësuar. Nuk duhet të jetë politika garantuese për vendin e punës për profesionistë të ndryshëm. E pikërisht projekti britanik ka bërë që numri i atyre që aplikojnë, të arrijë ët 4fishohet. Kjo tregon që Kosova ka burra dhe gra të afta, por që nuk kanë besim në institucionet e Kosovës dhe këtë besim po e shprehin vetëm në proceset ku ne jemi të angazhuar”, u shpreh ai.

Edhe Visar Prebreza nga “Birn” tha se rekrutimi pa meritokraci po e dëmton shumë Kosovën.

Ai bëri të ditur se probleme me nepotizmin dhe klientelizmin  gjatë rekrutimit ka pasur edhe në institucione më të vogla, siç janë komunat.

“E kemi parë që kostoja e emërimeve jomeritore është goxha e madhe, përkthehet edhe në miliona”, tha ai.

Lexo edhe

Video