8 gabime që mund ta dëmtojnë karrierën tuaj

8 gabime që mund ta dëmtojnë karrierën tuaj

Pavarësisht nëse keni përvojë pune apo jeni vetëm në fillim të karrierës, gabimet janë të paevitueshme shpeshherë. Gabimet të cilat ndonjëherë mund të duken të vogla, mund të sjellin pasoja të mëdha.

Një studim i realizuar nga VitalSmarts tregoi se 83 përqind e njerëzve njihnin dikë që kishte bërë gabime që kanë pasur pastaj rezultate negative në karrierën, reputacionin ose biznesin e tyre, ndërkaq 69 përqind pranuan se ata vetë kishin bërë diçka që kishte dëmtuar karrierën e tyre.

AkademiPune ju sjell 8 gabime që mund ta dëmtojnë karrierën tuaj:

Mungesa e qëllimeve në karrierë

Pavarësisht nëse keni një punë ose jo, qëllimet e së ardhmes janë shumë të rëndësishme. Nëse ju mungon vizioni i së ardhmes, pra nuk keni ide se nga do të drejtohet karriera juaj, do të vini në një pikë ku do të ndiheni sikur nuk po arrini ta orientoni veten. Kur ndodheni në një situatë të tillë, analizoni rrethanat, krijoni një vizion për të ardhmen dhe një strategji të qartë për karrierë.

Qëndrimi në zonën e rehatisë

Zona e rehatisë është ndër shkatërruesit kryesor në karrierë. Duke mos pasur një vizion më të qartë në karrierë, ju mund të hyni në një zonë rehatie. Gjithçka mund të jetë në rregull me punën tuaj por thjesht nuk ndjeheni të angazhuar dhe nuk e keni të njejten energji. Hapi i parë që duhet të ndërmerrni për të parandaluar këtë është të identifikoni pakënaqësinë tuaj dhe të keni një plan me zgjidhje, kësisoj mund të kuptoni nëse dëshironi të qëndroni në punën tuaj të tanishme apo të shkoni dikund tjetër.

Mos krijimi i një ekipi mbështetes

Një tjetër gabim që mund të dëmtojë karrierën tuaj është edhe mendimi që ju duhet të bëni çdo gjë vetë. Të gjithë kanë nevojë për njerëz të besueshëm që mund të japin këshilla dhe sugjerime nga përvojat e tyre, në mënyrë që secili të rritet në karrierë.

Mungesa e investimit në vetvete


Shumë njerëz, kur janë për disa vite në një pozitë pune, fillojnë dhe e ndjejnë një lloj lirie e rehatie, ani pse kjo nuk është një gjë negative. Mirëpo, nëse ndaloni së nxituri veten tuaj për të mësuar dhe avancuar më shumë, atëherë do të filloni të ndjeheni shumë të parëndësishëm edhe për kompaninë. Qëndroni të informuar rreth asaj se çka po ndodhë në fushën tuaj dhe sigurohuni që të krijoni aftësi që pastaj të arrini të përshtateni me të gjitha ndryshimet e mundshme.

Prishja e urave

Reputacioni është shumë i rëndësishëm në ditët e sotme sepse pothuajse të gjitha bizneset janë të lidhura me njëra tjetrën. Nëse në pozicionin aktual të punës nuk jeni të kënaqur dhe mendoni që është koha për të ecur tutje, tentoni t’i menaxhoni emocionet dhe mos flisni gjëra për të cilat mund të pendoheni me vonë.

Egoja

Është mirë të tregoheni të suksesshëm në të gjitha detyrat që ju jepen, mirëpo problemi shfaqet atëherë kur mendoni që vetëm ju duhet të keni sukses dhe që suksesi juaj duhet të zgjasë përgjithmonë. Ky mentalitet mund t’ju sjellë dështime shumë të mëdha.

Premtimet e shumta dhe rezultatet e pakta

Asnjëherë mos premtoni se do ta realizoni një detyrë në afat shumë të shpejtë sado që mund të jeni të sigurtë se mund ta bëni atë. Përceptimi është i rëndësishëm, prandaj asnjëherë mos dilni nga vetja, jeni të sinqertë në lidhje me rezultatet që mund të jepni. Kësisoj nuk krijoni pritshmëri të larta tek të tjerët.

Kalimi nga një punë në tjetrën

Një tjetër gabim që mund t’ju dëmtojë shumë në karrierë është kalimi nga një punë në tjetrën, nga një pozitë në tjetrën, pa pasur ndonjë arsye. Kjo mund të shkaktojë probleme në gjetjen e një vendi të duhur dhe të qëndrueshëm të punës.

Gabimet janë të pashmangshme në karrierë por është shumë e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për ato gabime që mund të dëmtojnë karrierën si dhe të gjeni zgjidhjet për t’i mos përsëritur në të ardhmen.

Lexo edhe

Video

error: