Konferenca e Bujanit ka filluar më 31 dhjetor 1943 dhe ka përfunduar më 2 janar 1944. Aty është nënshkruar një rezolutë, ku Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.
Konferenca e Bujanit është mbajtur si rikonfirmim i rrethanave të reja të krijuara pas Mbledhjes së Mukjes, si dhe rezultat i mospërfshirjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën sundimin e ish Mbretërisë SKS, (Konferenca e Bujanit), e cila u mbajt pikërisht për t’i kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ-it në Jajcë (29-30 nëntor 1943) dhe mos përfshirjes së Kosovës si subjekt i pavarur që deri atëherë ishte përfaqësuar përmes Malit të Zi në KAÇKJ-së.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë 49 delegatë që përfaqësonin popullin e Kosovës dhe forcat politike të rreshtuara te Fronti Antifashist Nacional-çlirimtar i Kosovës. Konferenca ka shqyrtuar tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo ka zgjedhiur kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar)ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviqeviçin (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçarin (anëtar) dhe Ali Shukriun (anëtar).
Konferenca e Bujanit ka dalë me një dokument përfundimtar, me rezolutë të miratuar në konferencë, ku është thënë: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkua me Shqipërinë. Formulimi i një qëndrimi të tillë, siç thoshte Hajdar Dushi, mbështetej në vetë deklaratat e PKJ-së dhe të KANÇ-it të Jugosllavisë, në të cilat njihej parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, i shpallur solemnisht nga aleatët e koalicionit antifashist.
Në vitin 1946 Tito ka deklaruar për agjencinë amerikane Associated Press se Kosova dhe territore të tjera shqiptare do t’i kthehen Shqipërisë. Udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito i ka premtuar Enver Hoxhës, në vitin 1946, se do t’i kthente Kosovën dhe territore të tjera shqiptare që ndodheshin në bashkimin jugosllav. Gazeta serbe Pravda ka shkruar se Tito në vitin 1946 për pak sa nuk i ka “dhuruar” Hoxhës Kosovën dhe Metohinë, por edhe territore të tjera shqiptare. Pak e njohur është për botën, ku ish-udhëheqësi jugosllav kishte thënë hapur se: Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do t’i kthehen Shqipërisë, transmeton Shekulli shkrimin e gazetës serbe.
“Nëse komunistët vijnë në pushtet në Shqipëri, ajo (Kosova) mund të jetë nën juridiksionin e Tiranës”, ka thënë atëherë udhëheqësi jugosllav për “Associated Press”. “Kreu i shtetit shqiptar, Enver Hoxha gjithmonë ka thënë se Tito i ka premtuar në fund të qershorit të vitit 1946, se Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do të jenë pjesë e Shqipërisë. Megjithatë, këtyre deklaratave nuk u është dhënë rëndësi pasi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit kanë qenë gjithnjë të tensionuara”, ka shkruar më tej gazeta serbe.