60 qytetarë vaksinohen te ekipet mobile në sheshin e Prishtinës

60 qytetarë vaksinohen te ekipet mobile në sheshin e Prishtinës

Ministria e Shëndetësisë që nga mëngjesi i ditës së sotme ka vendosur ekipet mobile të vaksinimit në sheshin “Zahiri Pajaziti”, në Prishtinë, ku janë vaksinuar 60 qytetarë. Për t’u vaksinuar qytetarët nuk do të kenë nevojë të caktojnë paraprakisht terminë.

Ekipet mobile i ka vizituar ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, e cila tha se në këtë mënyrë po e lehtësojnë qasjen e qytetarëve në vaksinim, derisa paralajmërojë se ekipe mobile do të vendosen në të gjitha qytetet e Kosovës.

Gexha-Bunjaku u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen, pasi u shpreh se vaksinimi është arma e vetme kundër COVID-19.

“Qytetarët mund të vaksinohen pa termin, orari i punës ka filluar nga ora 10 në mëngjes dhe do të zgjasë deri në orën 17:30. Që nga ky mëngjes janë vaksinuar 60 qytetarë në këtë pikë me dozën e parë të vaksinës. Vaksinimi mobil i qytetarëve do të zhvillohet në periudhën e ardhshme pa ndërprerje i organizuar nga komiteti i imunizimit dhe ekipet e vaksinimit nëpër komuna. Orari do të jetë i përsëritur kështu që shumë herë do të vizitohen qendra urbane, zonat me frekuentim të lartë, zonat rurale dhe zonat ku vlerësohen nga Komuniteti i imunizimit. Unë besoj që në këtë mënyrë po e lehtësojmë qasjen e qytetarëve në vaksinim, praktikisht në të gjithë territorin e Kosovës. Pasi që për gati shtatë muaj qytetari pati mundësinë dhe erdhi pa rresht e pa ngurrim në qendrat tona të vaksinimit, tani ne po shkojmë tek qytetari nëpërmjet vaksinimit mobil”, tha ajo.

Ajo u shpreh se në bazë të analizave të MSH-së, shumica e pacientëve të shtruar nëpër spitale me COVID-19 janë të pavaksinuar.

E para e dikasterit të Shëndetësisë deklaroi se tashmë janë vaksinuar mbi 60 përqind e popullatës së targetuar.


“Ndonëse jemi të parët në rajon sa i përket mbarëvajtjes dhe përqindjes së vaksinimit suksesi ynë përfundimisht varet në raport me synimet tona. Tashmë kemi mbi 60 përqind të vaksinuar me një dozë të popullatës së targetuar, pra popullata mbi 16 vjeç, ndërsa me dy doza i kemi mbi 50 përqind. Jemi në rrugë të mbarë të realizimit të synimeve tona, por edhe në rrugë të mbarë të tejkalimit të tyre. Megjithatë kjo nuk duhet të na lehtësojë përgjegjësinë që gjithsecili prej neve e kemi që të vaksinohemi”, tha ajo.  

Sa i përket varianteve të reja të COVID-19, ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, tha se zbatimi i masave dhe vaksinimi mbetet mbrojtja më e mirë kundrejt secilit variant.

“Deri më tash në bazë të përvojës del se secili variant i ri është më ngjitës sesa variantet paraprake. Delta plusi është identifikuar në Angli dhe në shumë vende tjera dhe masat e parandalimit mbesin të njëjta për cilindo variant i cili shfaqet. Do të thotë zbatimi i masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe social i kombinuar me shkallën e vaksinimit mbeten mbrojtja e vetme ndaj cilitdo variant i cili shfaqet”, u shpreh ajo.

Ajo ka komentuar edhe raportin e Komisionit Evropian për vendin për fushën e shëndetësisë, ku tha se të gjeturat në këtë raport janë të parapara në programin e qeverisë për shëndetësinë.

“Në kuadër të programit qeverisës nga Ministria e Shëndetësisë them 99 përqind e atyre e pikave janë të parapara ku vet përfshirja apo reforma në shëndetësi i përfshin të gjitha ato të cilat janë cekur në raportin e progresit”, tha ajo.

Sa i përket furnizimit të spitaleve me barnat që përdoren për trajtimin e COVID-19, Gexha-Bunjaku tha se udhërrëfyesi klinik është i kostuar dhe të gjitha ato barna që janë paraparë do të ofrohen në institucionet shëndetësore.

Lexo edhe

Video

error: