Gjashtë persona u plagosën në një sulm me thikë në stacionin e trenit më të ngarkuar të Parisit të mërkurën në mëngjes, tha ministri i brendshëm i vendit.
Një i dyshuar me thikë sulmoi disa njerëz në stacionin e trenit Gare du Nord dhe plagosi gjashtë prej tyre, duke përfshirë një oficer policie, konfirmoi Gerald Darmanin pasi vizitoi vendin e ngjarjes.
“Sulmuesi është mes jetës dhe vdekjes në këtë moment, në spital”, tha Darmanin, duke shtuar se i dyshuari nuk mbante asnjë dokument identifikimi, por do të identifikohet së shpejti.
Prokurorët e Parisit kanë nisur një hetim për sulmin, tha ai.
Shkaqet dhe motivet e sulmit mbeten të panjohura.
Gare du Nord nuk është vetëm stacioni hekurudhor më i ngarkuar i Parisit, por ai i Evropës, me mbi 292 milionë pasagjerë që kanë përdorur stacionin në vitin 2021, sipas të dhënave të SNCF./AA