Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

6 punë që mund t’i bëni nëse keni diplomë në filozofi

6 punë që mund t’i bëni nëse keni diplomë në filozofi

​Me siguri se që prej fillimit të studimeve në filozofi ju kanë pyetur se përse e keni zgjedhur këtë drejtim ose çfarë do të bëni me të. Në shumicën e kohës njerëzit nuk e shohin këtë si një profesion që mund të bësh diçka me të përveç se të jesh filozof. Por nuk është kështu. Diploma e arteve liberale nuk ka domosdoshmërisht një rrugë të paracaktuar karriere të bashkëngjitur me të, por kjo nuk do të thotë që ajo nuk është e vlefshme. Diploma në filozofi mund t’ju “gjejë” punë në një gamë të gjerë fushash, mjafton që t’i njihni se cilat aftësi i keni fituar gjatë studimeve në këtë degë, pastaj t’i përshtatni ato me punë të caktuara.

Aftësitë që fitohen gjatë arsimimit në filozofi

Janë disa aftësi të zakonshme që studimet në filozofi ju ndihmojnë që t’i fitoni.

Përshtatja dhe inovacioni: “Filozofia i përgatitë njerëzit të mendojnë dhe të kuptojnë natyrën themelore dhe qëllimin më të gjerë të punës që po bëjnë”, thotë Mitchell Muncy, themelues i kompanisë “Prospera LLC”, e cila i këshillon organizatat për çështje jo fitimprurëse dhe menaxhim të krizave. Ai tregon që ka punësuar punonjës të cilët e kanë përfunduar filozofinë, sepse sipas tij, aftësia e tyre për të parë përtej mjeteve specifike i bën ata të përshtaten në mjedise të reja, por gjithashtu të dali me ide dhe strategji të reja, si dhe bëjnë vëzhgime që të tjerët mund të mos i marrin parasysh. Ai madje shton se ato aftësi që ata i fitojnë në këtë fushë, bëjnë që të jenë të mirë jo vetëm në disa punë, por në të gjitha.

Analiza: Një pjesë e madhe e studimit të filozofisë është interpretimi dhe analizimi i teksteve, ideve dhe koncepteve më të mëdha dhe çështjeve shoqërore të vështira. Këto aftësi analitike janë të vlefshme në një numër mjedisesh pune.

Komunikimi dhe shkrimi: “Studentët e filozofisë” janë të aftë të thjeshtojnë informacionin kompleks dhe ta paraqesin atë te të tjerët. Diplomat e filozofisë përdoren gjithashtu për të diskutuar në grupe, aty u kërkohet që të dëgjojnë në mënyrë aktive dhe të kuptojnë pikëpamjet e të tjerëve. Kjo është po aq e rëndësishme në komunikim sa të shkruarit dhe të folurit.

Mendimi kritik dhe zgjidhja e problemit: Pjesa më e madhe e filozofisë është të menduarit kritik, ku zbërthehet një problem, ide ose koncept tjetër në përbërësit e tij thelbësorë dhe shqyrtohet nga çdo kënd. Në vendin e punës, shpesh keni nevojë të integroni informacione nga burime dhe perspektiva të shumta në mënyrë që të zgjidhni problemet.

Bindja dhe ndërtimi i argumenteve: Përmes detyrave gjatë studimeve, keni mësuar të zhvilloni një argument bindës dhe ta paraqisni atë në një mënyrë të qartë, logjike duke përdorur prova të forta. Kjo aftësi është e nevojshme në shumë pjesë të punës, qoftë nëse jeni duke kërkuar një klient të ri, duke gjetur strategjinë e duhur për ekipin, qoftë duke i bërë rekomandime menaxhmentit bazuar në kërkimet që i keni analizuar.

Këta kandidatë janë edhe më konkurrues në tregun e punës nëse kanë njohuri të tjera, si për shembull njohuri teknologjike ose njohuri në ekonomi.

Analistë të politikave

Analistët e politikave hulumtojnë, analizojnë dhe vlerësojnë ligjet dhe programet qeveritare të mundshme ose ekzistuese. Ata kryesisht punojnë për organizatat jofitimprurëse, mediat, grupe lobesh dhe një numër organizatash të tjera.

Menaxherë të marketingut


Menaxherët e marketingut mbikëqyrin përpjekjet e marketingut të një kompanie ose një kanal specifik të marketingut të një kompanie, të tilla si email ose media sociale. Ata kryejnë kërkime tregu, dalin me strategji dhe përgjithësisht veprojnë si vijë e komunikimit midis një organizate dhe klientëve të saj ekzistues dhe të mundshëm. Menaxherët e marketingut mund të specializohen në një fushë të marketingut ose ata mund të jenë të gjithanshëm që i bëjnë të gjitha ngapak.

Pse është e përshtatshme kjo edhe për një person që ka studiuar për filozofi?

Specialistët e filozofisë mund t’i përdorin aftësitë e tyre analitike, të mendimit kritik dhe të dëgjuarit, për të mësuar rreth tregut të tyre të synuar dhe aftësive të tyre të të shkruarit dhe bindjes për të zhvilluar një fushatë efektive, që merr parasysh atë që klientët e tyre kanë nevojë dhe dëshirojnë. Ata gjithashtu do të shkëlqejnë në analizimin e rezultateve të fushatave të kaluara dhe në tashme, dhe duke bërë ndryshime për të ardhmen. Karrierat e marketingut janë veçanërisht të mira për ata që duan të jenë krijues në punë.

Reporterë/korrespodentë

Diplomat e filozofisë janë të përshtatshme për këto punë për shkak të aftësive të tyre të të shkruarit dhe komunikimit dhe, aftësisë së tyre për të menduar thellë për paragjykimet, këndvështrimet dhe burimet e informacionit. Por për të arritur një punë në gazetari në nivelin fillestar ju ndihmon shumë që t’i mbani disa ligjërata ose praktika në këtë fushë.

Konsulentë për menaxhim

Konsulentët e menaxhimit vlerësojnë, analizojnë dhe u bëjnë rekomandime kompanive për t’i ndihmuar ato t’i zgjidhin problemet brenda organizatave të tyre. Konsulentët zakonisht punojnë për firmat e konsulencës, që kanë një numër të madh të klientëve dhe lëvizin nga një projekt në tjetrin çdo disa javë ose muaj.

Shkathtësitë e adaptimit dhe inovacionit të të diplomuarve në filozofi i lejojnë ata të ndryshojnë shpesh mjediset dhe të mësojnë shpejt për bizneset e reja. Ata gjithashtu do të përdorin aftësitë e tyre të mendimit kritik, komunikimit dhe analizës për të mbledhur informacione mbi një klient (duke përdorur metoda përfshirë mbledhjen e të dhënave dhe intervistat e punonjësve), për ta sintetizuar atë informacion për të gjetur zgjidhje dhe më pas t‘i ndajnë sugjerimet e tyre me klientët.

Përfaqësues të shitjeve

Përfaqësuesit e shitjeve, ose shitësit, sjellin biznes të ri në kompani. Në varësi të rolit dhe organizatës për të cilën ata punojnë, ata mund të kërkojnë klientë të rinj të mundshëm, të identifikojnë nevojat e tyre, të negociojnë dhe të mbyllin marrëveshje.

Të diplomuarit në filozofi mund t‘i përdorin aftësinë e tyre për t’i parë gjërat nga këndvështrimi i klientit, si dhe aftësitë e tyre bindëse për të shkëlqyer në shitje. Kështu që ju mund të filloni një praktikë në një fushë që ju intereson dhe të shisni produkte ose shërbime.

Profesorë

Ata të cilët kanë diplomuar në filozofi mund t’u rikthehen objekteve arsimore, por tashmë jo si studentë ose nxënës, por si profesorë. Filozofia është lëndë që mësohet edhe në shkollat e mesme, pa e përmendur degën e filozofisë në universitet./Akademi Pune

Lexo edhe

Video

error: