28 shkurti, fillimi i mobilizimit të madh të UÇK-së
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
28 shkurti, fillimi i mobilizimit të madh të UÇK-së
homazhe
28/02/2026 - 13:20
Linku u kopjua

Në përvjetorin e masakrës së 28 shkurtit në Likoshan dhe Qirez, përfaqësues politikë bënë homazhe dhe rikujtuan sakrificën e të rënëve, duke e cilësuar ngjarjen si një pikë kthese në historinë e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, tha se ajo ditë mbetet e paharruar për të dhe për shumë qytetarë.

“Ka qenë një ditë e tmerrshme për mua dhe për shumë bashkëkombës të mi, një ditë tepër e errët, por që ditën që ka ndodhë masakra këtu, mendoj që ka fillu edhe vetëdijësimi i qytetarëve, po besoj që e kanë kuptuar që me Serbinë më nuk ka as jetesë, po as bashkëjetesë. Dhe filloi ajo që e dini të gjithë, domethënë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fitorja e saj. Prandaj unë e kujtoj çdo ditë apo përditë domethënë këtë masakër sepse vërtet është një masakër që nuk e kemi pa nëpër vendet e tjera demokratike”, tha Lushtaku.

Në homazhe mori pjesë edhe shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Arian Tahiri, i cili tha se vizita në vendin e ngjarjes ishte për të shprehur mirënjohje dhe respekt.

“Bashkë me kryetarin e komunës së Drenasit, zotëri Ramiz Lladrovcin, edhe kryetarin e komunës së Skenderajt, zotëri Sami Lushtakun, po edhe pjesën tjetër të dy komunave, gjithashtu edhe me deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, me veteranë e burra e gra që kanë kontribuar në vazhdimësi në kauzën kombëtare, sot bëmë homazhe në këtë vend shumë të shenjtë për të reflektuar edhe mirënjohjen edhe krenarinë, mirëpo edhe sakrificën e burrave, e familjeve të mëdha, e të rëndësishme që e kanë bërë për lirinë dhe për shtetin që gëzojmë sot. Sigurisht që është ditë dhimbje, për shkak se janë varret e më të dashurve, është gjak i dëshmorëve e i martirëve. Lavdia e përjetshme u takon dëshmorëve të kombit, martirëve, ndërsa respekti i përhershëm e i vazhdueshëm veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjeve të dëshmorëve”, tha Tahiri

Ai shtoi se si gjeneratë e re e kanë obligim të punojnë me korrektësi, përgjegjësi, përkushtim maksimal për ta ndërtuar shtetin tonë sepse e është amanet prej gjakut të dëshmorëve të kombit.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e cilësoi 28 shkurtin si ditë që shënoi ngritjen e vetëdijes qytetare.

“28 shkurtin e kujtojmë një masakër që ka qenë ngritja e vetëdijes së qytetarëve dhe ka qenë një fillim i mobilizimit të madh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt fitoreve. Ne në Drenas, Skenderaj, Drenicë dhe kudo në Kosovë kemi shumë masakra. Kjo është një nga masakrat e para të cilat akoma nuk janë dënuar ata që e kanë bërë këtë masakër dhe kjo ka treguar që kjo masakër dhe masakrat e tjera e kanë ngrit botën demokratike që është bërë aleat me neve”, u shpreh Lladrovci.

Në homazhe morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nënkryetari Ardian Gola.

Pjesë e homazheve ishin edhe shumë familjarë të martirëve dhe dëshmorëve të kësaj masakre, ku u bënë vendosje kurorash me lule pranë varreve të tyre.

Ndërkaq, sot bëhen 28 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026