Dialogu në udhëkryq, Kurti dhe Borrell përplasen për Asociacionin

Takimi i radhës të dialogut Kosovë-Serbi është vendosur në udhëkryq. Megjithëse, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi një takim javën e ardhshme, ndërmjetësuesi i takimit, njëherësh përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell u shpreh skeptik për realizimin e tij. Ai tha se parakusht për takimin Kurti-Vuçiq është gatishmëria e palëve për t’u pajtuar për rezultate konkrete. Pavarësisht kësaj, kreu i qeverisë kosovare u shpreh i gatshëm për takim me Vuçiqin gjatë këtij viti.

Në një konferencë të përbashkët për medie, pas takimit të Këshillit për MSA-në, ndërmjet delegacionit kosovar dhe BE-së, Kurti dhe Borrell u përplasën për marrëveshjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Borrell prerazi kërkoi zbatimin e marrëveshjes, ndërsa Kurti tha se e njëjta s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryediplomati evropian po e sheh të padobishëm takimin e dialogut pa pasur një pajtueshmëri, por tha se viti ende s’ka përfunduar dhe do të tentojnë ta realizojnë takimin, por mbi bazën e premisave konkrete.

“Nuk e kemi shpallur ende (takimin), e kemi bërë të qartë se pas dy takimeve të këtij viti se parakushtet për takimin e radhës janë gatishmëria e dy palëve për t’u pajtuar për rezultate konkrete. Pasi është e padobishme të thirret një takim tjetër kur këto kushte nuk plotësohen, pra të takohemi për asgjë. Për sa kam kuptuar unë nga përfaqësuesi i posaçëm, Lajçak, gatishmëri nuk ka në këtë moment, por viti ende nuk ka përfunduar, do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të realizuar një takim të tillë. Por, nuk mund t’i detyrojmë palët, thjesht mund t’i kërkojmë të angazhohen në mënyrë konstruktive”, tha ai.

I hapur për takim u shpreh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai vuri në pah edhe arritjen e marrëveshjes për targa me Serbinë dhe kompromisin e bërë nga pala kosovare, i cili sipas tij po neglizhohet nga BE-ja.

“Prej se jam në politikë kam ardh në Bruksel dhjetëra herë. Nganjëherë me dhe pa ftesë. Për ne Brukseli është i rëndësishëm, është kryeqyteti i progresit, por njëkohësisht edhe për zgjidhjen e problemeve. Për qeverinë tonë, që është më demokratikja dhe më proevropiania në rajon që prej çlirimit, BE-ja është projekti më i rëndësishme për paqen dhe prosperitetin që prej Luftës së Dytë Botërore. Nëse ndërmjetësuesi  dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Borrell e sheh të arsyeshme dhe mundur të më ftojë për takim, sigurisht që do të vijë. Tani dua të nënvizoj një sukses që është neglizhuar nga BE-ja, e që është arritur nga BE-ja dhe është neglizhuar nga të tjerët. Kjo është marrëveshja e 30 shtatorit për targat e veturave. Tensionet ishin të larta dhe tani jemi në zbatim të 100 përqind të marrëveshjes. Ishte kompromis nga ana jonë, do të donim të mos kishim fare as ato letra ngjitëse”, theksoi Kurti.

Më i prerë, Borrell u shpreh lidhur me themelimin e Asociacionit, i cili tha se duhet të zbatohet pasi është nënshkruar në mirëbesim nga dy palët.


“Për Asociacionin po e them atë çka e kam thënë gjatë takimit disa herë. Gjatë takimit, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit. Kjo marrëveshje është e lidhur në mirëbesim nga palët e përfshira dhe sigurisht që presim që gjitha marrëveshjet të zbatohen nga palët”, tha ai.

Diplomatit evropian, Kurti iu kundërpërgjigj, duke thënë se Serbia s’ka zbatuar dy të tretat e marrëveshjeve të arritura me Kosovën.

Ai tha se qeveria e tij është demokratike, porse zgjidhjet që vijnë nga lartë për të kënaqur politikanë nuk janë demokratike.

“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë, Serbia kërkon zbatimin e vetëm një prej saj, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. E mbaj mend më 23 dhjetor 2015 kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese është bërë publik, asnjë serb i Kosovës nuk kishte protestuar, vetëm Beogradi.  Është koha të kemi një dialog kur qytetarët janë përfituesit të fundit dhe jo politikanët. Kemi nevojë për një karakter demokratik të dialogut që njerëzit të përfitojnë nga ai…të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lartë për të kënaqur një politikan apo tjetër nuk është demokratike, e unë jam demokrat dhe besoj se kapitulli i ardhshëm i dialogut nuk duhet të jenë atje për të kënaqur një politikanë, apo shpëtuar lëkurën e një politikani, apo një tjetri, por duhet të jemi në shërbim të popullit. Kam frikë se ky Asociacion është më shumë në shërbim të Beogradit sesa ndonjë qytetari serb të Kosovës të cilës i shërbej si kryeministër”, deklaroi Kurti.

Borrell tha se edhe ai është demokratik gjithashtu dhe se nuk është për t’i shërbyer asnjë politikani. Ai shprehu qartazi dallimet edhe për interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin.

“Më lejoni të them se edhe unë jam demokrat gjithashtu, nuk jam këtu për t’i shërbyer cilitdo politikan nga cilado anë. Ajo çka ka ndodhur me tabelat e veturave ka dëshmuar se dialogu është i vetmi forum për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura… Nuk pajtohem me juve kur thoni se Gjykata Kushtetuese e bënë të pamundur implementimin e kësaj marrëveshje, që është lidhur nga përfaqësuesit e dy palëve, në mirëbesim dhe pajtim me normat ndërkombëtare për lidhjen e marrëveshjeve. Më vjen keq kryeministër, por më duhet t’iu kërkojë vazhdimisht për implementimin e kësaj marrëveshje. E di që ka marrëveshje që s’janë implementuar nga të dy palët, por kjo është më e rëndësishmja”, shtoi ai.

Krahas kësaj, ai tha se për arritjen e marrëveshjes finale, dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të zgjatë sërish për vite me radhë.

Lexo edhe

Video

error: