25 vjet burg për policin që vrau qytetarin në Gjilan

25 vjet burg për policin që vrau qytetarin në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar me 25 vjet burg policin V.H , i cili dyshohet se në fund të dhjetorit të 2019-tës ka qëlluar për vdekje qytetarin L.S. Këtë të hënë Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit V. H., i cili ka qenë i akuzuar për tre vepra penale.

Ngjarja tragjike që ndodhi më 29 dhjetor në Gjilan erdhi pasi zyrtari policor gjersa ishte duke vozitur veturën e tij shkaktoi një aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar L.S.

Pas aksidentit ndodhi një kacafytje dhe kërcënime e sharje mes personave në fjale, me ç’rast i pandehuri V.H me armën e tij zyrtare ka shtënë në drejtim të viktimës L.S ku nga plagët që kishte marrë në kokë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.


“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29.12.2019, rreth orës 04:50 minuta në rrugën “NATO 99”, në Gjilan, i pandehuri V. H. (zyrtar policor), gjersa ishte duke vozitur veturën e tij shkaktohet një aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar L. S, tani i ndjerë. Deri tek ngjarja tragjike ka ardhur, kur pas aksidentit të ndodhur ka filluar kacafytja dhe kërcënimet e sharjet mes personave në fjalë, me ç’rast i pandehuri V. H. me armën e tij zyrtare shtinë në drejtim të viktimës L. S., ku nga plagët e marra në kokë, ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Gjilan.

Tek i dyshuari janë gjetur edhe revole të tjera.

“Tek i dyshuari gjithashtu janë gjetur edhe dy revole të tjera të modelit “Bereta 92 Auto” dhe 25 dhe fishekë të llojeve të ndryshëm, i cili të njëjtën ditë në një lokal në fshatin Malishevë të Gjilanit, duke dëgjuar muzikë kishte përdorur armën e tij. Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “mbajtja në pronësi, kontroll të armëve ose posedimit të paautorizuar të armëve”  dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite burgim.  Të akuzuarit, Gjykata me aktvendim të veçantë ka vazhduar masën e paraburgimit”, bëhet e ditur në komunikatë.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Lexo edhe

Video