20 alpinistë të maskuar si superheronj lëshohen në katet e Pediatrisë
Lexohet për: 4 min.
318594469_819411969128342_5256159805183688264_n-e1671096553809
1 vit më parë
Linku u kopjua

Fëmijët të cilët po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë, sot nga dritarja kanë parë figura të ndryshme të “superheronjve”. 20 alpinistë të maskuar përmes litarëve janë lëshuar nga kate të ndryshme, rreth dritareve të kësaj klinike, kjo me qëllim që të dhurohen donacione të cilat do të shërbejnë për të ndihmuar fëmijët me kancer në repartin e Hemato-Onkologjkisë Pediatrike në QKUK. Aktiviteti i alpinizmit urban po organizohet për të tretën herë nga klubi “Alpin Prishtina” dhe “Care for Kosovo Kids”, në mbështetje të Bankës Ekonomike.

Pediatrja Rufadie Maqastena-Maxhuni ka treguar se ditëve të fundit ka një numër të madh të fëmijëve të cilët po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë.


“Ne në klinikë kemi një numër bukur të madh të pacientëve, në sezonën e gripit që kemi një fluks pak më të madh. Po i kemi edhe të gjithë ata pacientë të cilët vijnë edhe marrin trajtim për profile të ndryshme nga aspekti i pediatrisë. Edhe ata e presin me padurim, i kemi lajmëruar që një pjesë do të vijnë figurat, e idolet e tyre do i vizitojnë e do i shohin ka lëshohen me litarë nga dritaret, se është e pamundur që me i nxjerr fëmijët jashtë në këtë kohë ftohtë, një pjesë janë edhe të varur me infuzione”,
ka thënë ajo.

Pas aktivitetit të “super-heronjve”, fëmijëve u janë shpërndarë edhe dhurata.

Elvira Ibrahimi nga klubi “Alpin Prishtina” tha se me këtë aktivitet kanë dashur të falenderojnë edhe stafin mjekësor që trajtojnë fëmijët me sëmundje të ndryshme.


“Kjo ngjarje është organizuar nga “Care for Kosovo Kids” dhe klubi “Alpin Prishtina” si dhe është mbështetur nga Banka Ekonomike. 20 superheronj të grupit alpin të veshur në rroba të superheronjve, pra 20 alpinistë sot përmes litarëve do të lëshohen nga Klinika e Pediatrisë dhe me vete do të kenë dhurata të cilat do u jepen fëmijëve të cilët momentalisht gjenden pa dëshirën e askujt në spital”,
ka thënë ajo.

Përvec kësaj, Mrika Karaqi nga “Care for Kosova Kids” tha se po synojnë që të mbledhen donacione për të ndihmuar fëmijët me kancer.

“Ne si organizatë mundohemi ta sigurojmë terapinë falas për këta fëmijë, të cilët gjenden në Klinikën e Hematonkologjisë Pediatrike, mirëpo ky aktivitet organizohet për të gjithë Klinikën e Pediatrisë. I ftojmë të gjithë që të kontribuojnë pasi që ne mbështetemi në bazë të fondeve, pjesa më e madhe e fondeve mblidhen në Holandë. Dhe do të kishte me qenë mirë që kjo të jetë thirrje që edhe në Kosovë të ndihmojmë sa më shumë për fëmijët tanë që të mbërrijmë të sigurojmë terapinë”, tha Karaqi.

Gjatë këtij aktiviteti kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Bankës Ekonomike, Arijan Haxhibeqiri ka thënë se tash e dy vjet po përkrahin këtë organizim dhe po ndihmojnë edhe sigurimin e medikamenteve.

“Përgjegjësia sociale është pjesë shumë e rëndësishme e bankës tonë, jo rastësisht edhe këtë vit e përkrahim. “Care for Kosovo Kids”, në veçanti e bën këtë momentum në vigjilje të festave të fundvitit, përkrahja për kategorinë më të ndjeshme dhe më fisnike të shoqërisë që janë fëmijët, e në veçanti është shumë e rëndësishme sepse përfshihen fëmijët në nevojë në kuadër të repartit të Hematologjisë-Onkologjisë. Përkrahja jonë këtë vit shkon në pjesën e medikamenteve, që është më se e rëndësishme për këta fëmijë, ndërsa pjesa tjetër është pjesa e argëtimit, apo pjesa e zbavitjes që përfshin lodrat e ndryshme”, ka theksuar ai. /Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024