17 raste me koronavirus në Kosovë, institucionet shëndetësore thonë se kapacitetet për përballje me virusin po forcohen

17 raste me koronavirus në Kosovë, institucionet shëndetësore thonë se kapacitetet për përballje me virusin po forcohen

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar sot se në Kosovë, të prekur me Covid-19 janë 17 persona, prej të cilëve dhjetë janë të shtrirë në Klinikën Infektive. Ai ka deklaruar se gjendja e tyre është stabile, përveç pacientit të moshuar të cilit po i ofrohet oksigjen terapia herë pas herë. Në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë ka thënë se brenda klinikave në QKUK janë në dispozicion rreth 500 shtretër në rast të ndonjë fluksi të madh të personave të prekur me koronavirus.

Vitia ka treguar për gjendjen e pacientëve të prekur me koronavirus, ndërkohë ka kërkuar nga qytetarët që mos të shpërndajnë frikë e panik, meqë sipas tij kjo sfidë do të kalohet.

“Deri më sot, në Kosovë, përmes laboratorit të mikrobiologjisë molekulare në Institutin Kombëtar të shëndetit Publik, janë testuar gjithsej 271 mostra të dyshimta me Covid-19, dhe gjithsej 17 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Informatat nga Klinika Infektive e QKUK-së janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen në klinikë e që aktualisht janë 10 pacientë është stabile, me përjashtim të njërit prej pacientëve më të moshuarit nga ta, që kohë pas kohe po asistohet vetëm me oksigjenoterapi, pacientët e tjerë janë duke marrë trajtim mjekësor mbështetës dhe janë në gjendje stabile, bile dy nga të hospitalizuarit më herët janë lëshuar në shtëpi në gjendje stabile shëndetësore dhe do të qëndrojnë në vetëkarantinë”, tha ai.

Ai tha se dje ka përfunduar procedura për kontraktimin e mjeteve mbrojtëse mjekësore për personelin shëndetësor si maska respirator, veshje mbrojtëse për trup, mburoja për fytyrë, e mjete të tjera për personelin shëndetësor, policinë, doganën, nga mjetet prej 400 mijë eurove të ndara më parë nga qeveria.

Sipas ministrit me këto mjete do të ketë furnizime më të qëndrueshme për të gjitha institucionet.

Ai bëri të ditur se qeveria ka alokuar 6.2 milionë euro për shfrytëzim të menjëhershëm prej shumës prej 10 milionë euro të parpara kundër Covid-19.

Vitia tha se Shërbimi Spitalor Klinik universitar ka shndërruar Klinikën Infektive klinikë që do të shërbejë vetëm për rastet me koronavirus, ndërkohë që do të ketë përforcime dhe nga klinikat e tjera.


“ShSKUK ka shndërruar tashmë Klinikën Infektive në Klinikë që do të shërbejë vetëm për rastet koronavirusit, derisa kapacitetet do të përforcohen edhe përmes lirimit të hapësirave të disa klinika tjera siç klinika e pomologjisë dhe dermatoneurologjisë Pacientët e pulmologjisë do të transferohen në klinikën e alergologjisë. Objekti i ri i mjekësisë sportive është duke u bërë gjithashtu gati për të shtuar kapacitetin edhe me rreth 100 shtretër të tjerë, dhe në total vetëm Brenda këtyre shërbimeve infektiva, pulmo, derma dhe mjekësia sportive na sigurojnë rreth 500 shtretër për një fluks eventual më të madh të pacientëve me koronavirus”, tha Vitia.

Ndërkohë bëri të ditur që javën që vjen në Kosovë do të arrijë edhe një kontingjent i mjeteve mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore, donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Sot jemi njoftuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se janë ndarë edhe një shumë në vlerë prej 7 milionë eurove që do t’i përforcojnë furnizimet në institucionet shëndetësore të çdo niveli. Banka Botërore gjithashtu ka ofruar mbështetje financiare për aktivitetet në masat kundër Covid-19, në vlerë prej 7.9 milionë euro”, tha ai.

Ai tha se karantina e parë do të jetë gati në momentin që është e nevojshme, për personat e ekspozuar ndaj rrezikut, veçse theksoi që ajo masë vlen për personat që vinë nga jashtë dhe paraqesin rrezik për përhapje të virusit.

Vitia tha se janë bërë furnizime në komunat ku janë ndalur hyrje daljet ndërkohë do të ketë furnizime të reja edhe në ditët në vijim.

E drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se të dhënat e përgjithshme statistikore tregojnë që epidemia po shkon drejt kontrollit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar jemi të qetë tashmë se ne mund të bëjmë të pamundurën që epidemia mos të përhapet. Akoma jemi herët të flasim për disa karakteristika, pro ministri i përmendi të dhënat e përgjithshme statistikore të cilat flasin si indikator shumë pozitiv se epidemia po shkon drejtë kontrollit”, tha ai.

Në konferencën e Ministrisë së Shëndetësisë u bë thirrje për qytetarët që mos të krijojnë frikë dhe panik, meqë siç tha ministri, stoqet farmaceutike kanë rezerva edhe për katër muajt e ardhshëm, për t’u përballur me situatën.

Lexo edhe

error: