16 vjet nga vizita e presidentit Bush në Shqipëri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti George W. Bush është bërë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka vizituar Shqipërinë.

Ai dhe bashkëshortja e tij, Laura janë pritur në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha dhe nga deputetët Bamir Topi e Ben Blushi.

Më pas, presidenti Bush është takuar në Pallatin e Brigadave me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiun. Presidenti shqiptar, Moisiu i ka dhënë presidentit Bush dekoratën më të lartë "Urdhrin e Flamurit", për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare.

Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, ka vlerësuar nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.

Po ashtu, presidenti ka thënë se beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisaari, për pavarësi të mbikëqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën.  Ai është shprehur se do të punojë për të bindur gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë për këtë gjë.

Bush ka thënë se SHBA-ja e përkrahë dëshirën e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në NATO. Ai e ka vlerësuar lart tolerancën fetare në Shqipëri.       

"Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë në NATO, unë jam përkrahës i kësaj dëshire", ka thënë presidenti amerikan.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bush ka folur para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo për Shqipërinë që ka kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak.

"U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë", ka thënë Bush.

Ai ka inkurajuar politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.

"Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike”, ka nënvizuar ai.

Bush ka takuar në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kanë marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi. Pas takimit, Bush ka dalur jashtë protokollit, në rrugën kryesore të Fushë-Krujës dhe ka takuar shumë qytetarë entuziastë.

Presidenti amerikan, George Bush ka mbërritur në Tiranë në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri./KosovaPress

https://kosovapress.com/admin/gjashte-presidente-amerikane-e-mbi-tre-dekada-perkushtim-per-kosoven/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024