Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka takuar përfaqësuesit e MCA Kosovë, me të cilët ka diskutuar për Projektin JETA dhe planet për fillimin e implementimit të tij, i cili projekt realizohet në kuadër të Programit Kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit.
Me këtë rast, ministrja Rizvanolli ka theksuar se sektori i energjisë, ekonomia dhe shoqëria jonë janë vetëm të forta aq sa janë edukimi dhe trajnimi i fuqisë punëtore.
Projekti JETA është pjesë e Programit Kompakt me MCC-në, i cili është projekti më i rëndësishëm i energjisë, ku përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit prej 340 MWh. Programi Kompakt ka vlerën 236.7 milionë dollarë, janë 202 milionë dollarë janë grant i fituar nga Qeveria amerikane dhe 34.7 milionë të dedikuara nga Qeveria e Kosovës.
Për realizmin e Projektit JETA, janë të dedikuara 16 milionë nga programi më i madh i energjisë me MCC-në. Ky projekt ka dy objektiva kryesore, të nxisë trajnimin dhe shkathtësimin e të rinjve, të cilët mund të kontribuojnë në sektorin e energjisë, si dhe të rrisë pjesëmarrjen grave në sektorin e energjisë.