150 milionë euro eksportet e bujqësisë, kërkohet mbështetja e punës së grave në bujqësi

Eksportet e bujqësisë arrijnë vlerën deri në 150 milionë euro, e vetëm në sektorin e përpunimit të frutave dhe perimeve janë të punësuar 2500 persona. Kështu u tha në tryezën e mbajtur në kuadër të projektit “Sired” me temën “Roli i mediave në promovimin e agrobizneseve të grave në sektorin e përpunimit të frutave dhe perimeve”, ku u kërkua që ky sektor të trajtohet me prioritet. Po ashtu, u tha se grave duhet tu jepet hapësirë që të promovojnë punën e tyre të madhe që po bëjnë në zonat rurale.

Drejtori i Shoqatës së Përpunimit të Pemëve dhe Perimeve (PePeKo), Hartim Gashi ka thënë se qasja në media e këtyre bizneseve është shumë e vështirë.

“Gjatë gjithë kohës kemi debate politike, asnjëherë ose shumë rrallë ka debate edhe ka emisione të cilat i kushtohen zhvillimit të bujqësisë. Pasi që bujqësia e gjithë vlerësimeve që janë bërë të brendshme dhe të jashtme për potencialin e zhvillimit ekonomik, bujqësia e Kosovës është vlerësuar si një prej sektorëve që ka potencialin shumë më të madh për të zhvilluar ekonominë dhe për të ndikuar në punësim dhe sigurisht me rrit eksportin. Eksportet e bujqësisë janë 150 milionë dhe trendi është pozitiv, përkundër që kemi trend të rritjes së importeve, bujqësia e Kosovës ka rritje signifikante prej vitit në vit. Pak kush e din se cilat janë këto bizneset që rrisin eksportin, që sjellin para, që punësojnë njerëz. Prej analizave që kemi bërë me mbështetje të Caritas-it zviceran, 2500 janë të punësuar vetëm në industrinë tonë”, ka theksuar ai.

Më tej, në këtë tryezë të organizuar u tha se hapësira është e kufizuar dhe është e domosdoshme që të promovohet puna e vështirë e grave në këtë sektor.


Daniela Çoçaj nga “Ecokos Ëomen” kërkoi që tu jepet hapësirë grave në zona rurale, të cilat po punojnë me mund dhe sakrificë.

“Kemi gra shumë punëtore, të cilat janë të gatshme të punojnë, mirëpo ajo punë e tyre nuk po shihet askund. Mendimi im është që në këto gra duhet investuar, e sidomos me marketing apo me media. E kam një përshtypje që vetëm mediat janë fokusuar vetëm tek një grup i grave. Kemi gra punëtore shumë të cilat i kanë bizneset e veta dhe duhet tu jepet hapësirë që të dalin në pah. Sepse munden me qenë shembull dhe motiv për gra të tjera që të punojnë të fuqizojnë vetveten, njëkohësisht edhe familjen”, ka thënë ajo.

Shqipe Murseli nga kompania “Tradita jonë” ka folur për vështirësitë për punësim, përkundër që kërkesat janë të mëdha.
“Ne e kemi një problem që gratë po duan të punojnë, por kur po i ftojmë ne të punojmë ato nuk po duan të punojnë. Ndoshta edhe pak që nuk po kemi emisione që të inspirojmë. Është mirë që të ketë emisione për bujqësinë që me i inspiru edhe gratë tjera
”, ka thënë Murseli.

Sefedin Haxhia nga Caritasi Zviceran ka theksuar se bujqësia duhet të trajtohet si prioritet.
“Prioritetin e bujqësisë me ngrit më lartë, sepse realisht është prioritet. Kur gjithçka ka qenë e mbyllur, ne gjithë jemi ushqyer dhe bujqësia ka punuar dhe është dashur të punojë. Kështu që është prioritet”,
ka përfunduar Haxhia.

Caritasi Ziceran ka mbështetur projektin “Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës Rural Ekonomik “SIRED” në dhjetë komuna të Kosovës. /Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video