Me ngritjen e temperaturave është rritur edhe numri i personave të kafshuar nga gjarpërinjtë në Kosovë. Gjatë dy muajve të fundit, 15 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Disa prej këtyre rasteve janë hospitalizuar, e disa të tjerë janë trajtuar me serumin kundër helm.
Ndërkaq, në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Deçan dhe Gjilan thonë se nuk kanë asnjë dozë të serumit kundër helm në rastet e kafshimit nga gjarpri, për çka potencojnë se në raste të tilla pacientët i dërgojnë për trajtim në spitalet regjionale, për shkak të ndjeshmërisë së terapisë. Ata thonë se gjatë këtyre muajve nuk është lajmëruar asnjë rast me kafshim të gjarprit.
Kryeshefi i QKMF-së në Prishtinë, Valdet Hashani thotë për KosovaPress se nuk posedojnë doza të këtij serumi, për çka shton se për shkak të komplikimeve të mundshme, terapia për kafshimin nga gjarpri jepet në spitalet regjionale dhe ato terciare. Ai thotë se në QMF-të e Prishtinës nuk është regjistruar asnjë rast.
Po ashtu, edhe specialisti në QKMF-në në Deçan, Xhavit Rabushkaj thotë se as gjatë vitit të kaluar e as gjatë këtyre muajve të këtij viti, nuk kanë konfirmuar ndonjë rast me pickim nga gjarpri. Rabushkaj tregon se nuk janë të furnizuar me serumin specifik, edhe pse sipas tij kërkesa është bërë.
Ndërsa drejtori QKMF-së në Skenderaj, Bashkim Nura thotë se posedojnë një serum në rast nevoje.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në një përgjigje me email për KosovaPress ka bërë të ditur se posedojnë sasi të mjaftueshme të serumit në rastet e kafshimit të gjarpërinjve. Sipas IKSHPK-së çdo QKMF që ka bërë kërkesë është furnizuar me serume.
Para pak ditësh, IKSHPK-ja ka treguar simptomat pas kafshimit të gjarprit dhe jep rekomandime se si duhet të veprohet. Ky institut ka bërë të ditur se në Kosovë jetojnë katër lloje të gjarpërinjve, e ndër ta edhe lloji helmues Vipera ammodytes (gjarpri i gurit, nepërka).
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...