Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Pak shpresë për liberalizim të vizave sivjet

Pak shpresë për liberalizim të vizave sivjet

Ani pse pritjet ishin të larta që gjatë presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian të ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, një gjë e tillë nuk u arrit. Shanset po mendohen më të ulëta tani kur Portugalia ka dalur në krye të presidencës së BE-së. Në Qeverinë e Kosovës nuk përgjigjen rreth kësaj teme, ndërsa njohësit e integrimeve shprehën skeptik që liberalizimi i vizave të ndodh këtë vit. 

Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret por ende nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë vendet e Bashkimit Evropian.

Franca dhe Holanda janë vendet që janë shprehur skeptike në dhënien e dritës së gjelbër për kosovarët, ani pse vet mekanizmat e Bashkimit Evropian kanë deklaruar që Kosova i ka plotësuar kriteret për lëvizje të lirë.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra, pjesë e komisionit parlamentar për integrime europiane, thotë se Qeveria e Kosovës, asnjëherë nuk ka qenë më e dobët në konkretizimin e argumenteve në çështjen e liberalizimit të vizave.

“Me keqardhje e them që aty ku e kemi sjellur qeveritë paraprake dhe ne që kemi qenë në pushtet, ka ngelur, ose ka hapa prapa në kthim të kësaj agjende. Asnjëherë më pak nuk është diskutuar lidhur me këtë proces, asnjëherë më pak nuk ka pasur shkëmbim ndërmjet shteteve lidhur me procesi ne liberalizimit të vizave dhe asnjëherë më pak nuk ka pasur më pak bashkëpunim me spektrin ndërkombëtar që janë Bashkimi Evropian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me politikën e jashtme”, thotë ajo.

Viti 2020 ishte vit shprese për kosovarët për shkak të presidencës gjermane në BE, por duket që pandemia i ka orientuar politikat e Bashkimit Evropian diku tjetër.


Kosova nuk duket në top prioritetet e BE-së.

Emir Abrashi nga Demokracia Plus thotë se Bashkimi Evropian tani ka çështje më të rëndësishme se liberalizimi i vizave për kosovarët, duke përmend këtu luftën ndaj pandemisë, proceset buxhetore dhe Brexit.

Nuk pres ndonjë lëvizje shumë të madhe në ana e Portugalisë, mirëpo në gjysmën e dytë të vitit 2021, presidenca i kalon Sllovenisë dhe në këtë aspekt mendoj që ne duhet qysh tash të fillojmë të punojmë me Qeverinë sllovene, me aleatët tanë në Slloveni në mënyrë që t’i shtyjmë përpara këto procese për shkak se neve kemi parasysh që Sllovenia është pak më e ndjeshme karshi këtyre proceseve për shkak se edhe vet ka qenë pjesë e së njëjtës federatë në të cilën ka bërë pjesë i gjithë Ballkani Perëndimor. Ndoshta presidenca e Sllovenisë do të jetë me e favorshme për proceset e integrimit në gjithë Ballkanin”, thotë ai.

Ndërsa profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti konsideron se procesi tashmë është i vonuar dhe ka kaluar të gjitha limitet e nevojshme.

“Tashmë çdo gjë është në nivelin e spekulimeve sepse flasim për proces të tej-zgjatur që ka kaluar çfarëdo limiti, ne definitivisht duhet të shohim mundësi alternative, të tilla çfarë kanë bërë të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu Bosnje Hercegovinën, një pjesë të Republikës së Serbisë, Maqedoninë, jo duke trumbetuar por duke shikuar në mundësi të tjera alternative për të siguruar lëvizjen e lirë sepse fundja këtu nuk po flasim për ndonjë privilegj por flasim për një të drejtë fundamentale të njerëzve për të lëvizur lirshëm”, thotë ai.

Në vitin 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kishte rekomanduar heqjen e vizave.

Megjithatë nevojitet miratimi i secilit shtet anëtar të BE-së që vendi i fundit i izoluar në Ballkanin Perëndimor, të gëzojë lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Lexo edhe

Video

error: