12 ditët e Kurtit në SHBA, pak takime të nivelit politik

12 ditët e Kurtit në SHBA, pak takime të nivelit politik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, prej 12 ditësh është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nisi vizitën e tij më 6 maj ndërsa ishte në qendër të kritikave për shkak të mungesë së takimeve me përfaqësues të lartë të shtetit amerikan. Takimet e tij kanë qenë kryesisht me kompani të teknologjisë së informacionit për t’ju dhënë garanci për investime në Kosovë, ndërsa nuk kanë munguar as takimet me mërgatën.

Zyra e Kryeministrit nuk ka publikuar asnjëherë agjendë të takimeve, por vetëm komunikata pasi ato kanë ndodhur. Siç nuk bëhet e ditur as kohëzgjatja e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara që pritet të vazhdojë edhe këtë javë.

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara, Kurti u mirëprit në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MÇ), Alice Albright. Takimi shënoi fillimin e negociatave me MCC-në për projektin Kompakt, që u vlerësua si projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, i cili kalon shumën e 200 milionë dollarëve dhe parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Më pas, Kurti ndaloi në qendrën e famshme botërore të teknologjisë së informacionit, në Silicon Valley të Kalifornisë. Aty ka takuar drejtues të kompanisë LinkedIn, pastaj të VMWare, Sumeru Equity Partners, Andreessen Horowitz dhe te Miller Center for Social Entrepreneurship, Airbnb dhe Microsoft.

Në këto takime, sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka treguar për potencialin e Kosovës në IT, infrastrukturën dhe burimet njerëzore, duke synuar që të bind këto kompani të investojnë në Kosovë.

Në përfundim të vizitës së tij dyditore në shtetin e Kalifornisë, kryeministri është pritur edhe nga profesionistë të suksesshëm të mërgatës të cilët bashkëpunojnë me kompani me renome botërore siç janë Oracle, Facebook, Amazon, Apple, Netflix dhe shumë të tjera.

Vizitat Kurti i vazhdoi në kompaninë Uber, ku edhe aty u tha se iu foli për potencialin dhe kapacitetet e Kosovës në fushën e teknologjisë së informacionit.

Kurti është takuar edhe me investitorë, akademikë e profesionistë në Këshillin për Çështje Botërore të Dallasit (World Affairs Council of Dallas) /Fort Worth. Fuqia punëtore profesionale e Kosovës, kosto e ulët operative për kompanitë e teknologjisë së informacionit, zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik u veçuan nga kryeministri Kurti si arsye pse Kosova ofron një mundësi të artë për investime të reja.

Kryeministri ka vizituar edhe Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas, ku ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në këtë shtet. Aty Kurti falënderoi bashkatdhetarët për kontributin ndërsa dha zotime që Qeveria do të punësojë bashkë me ta për të mirën e përbashkët.

Iowa ishte një tjetër ndalesë për Kurtin. Fillimisht ai u dekorua nga Senati me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas.

Kurti më pas takoi komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell, që i kërkoi që mbështetja për ngritjen profesionale të FSK-së të vazhdojë sikurse deri më tani.

Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Iowa u mirëprit në Qytetin e Johnston, nga Kryetarja e Qytetit Paula Dierenfeld. Nga viti 2013, Johnston është qyteti simotër i Pejës.

Takime ndaras pati edhe me guvernatoren e Iowas, Kim Rejnolds, sekretarin e Bujqësisë të shtetit të Iowa-s, Mike Naig dhe komunitetin e biznesit në Ioëa. Temë kryesore në këto takime ishte partneriteti në fushat zhvillimore.

Në prani të mërgatës sonë, përfaqësuesve institucionalë dhe personaliteteve nga Iowa, kryeministri përuroi edhe hapjen e Shërbimeve Konsullore në Iowa. Në këtë ceremoni, u bë edhe prerja formale e shiritit.


Gjatë qëndrimit të tij në shtetin e Iowa-s, Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitoi kontingjentin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po zhvillojnë trajnime atje së bashku me ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s. Aty u takua me ushtarët Lulëzim Statovci, Fidan Nishevci, Arianitë Prushi dhe Malësor Haxhiu.

Kompania MATTER dhe UCX ishin ndalet e radhës të kryeministrit Kurti. Mundësitë e bashkëpunimit me të parën, dhe shtimin e investimeve në Kosovë me të dytën, ishin çështjet që u diskutuan në këto takime.

Gjatë qëndrimit në Chicago, të shtetit Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Katedrës së Albanologjisë “Hidai Eddie Bregu”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi Universitetin DePaul, ku mbajti edhe një ligjëratë të hapur.

Në fund të qëndrimit të tij në Chicago të Illinois, Kurti, i shoqëruar dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, pati një takim të përzemërt me bashkatdhetarët tanë atje.

Kurti në ditën e parë të qëndrimit të tij në Michigan, me ftesë të Organizatës së Studentëve Shqiptarë, pati një diskutim të hapur me studentë të Universitetit të Michigan-it. Ai u tha se foli për punën e deritanishme të Qeverisë, sukseset dhe planet për pjesën tjetër të mandatit.

Në Detroit të Michigan, kryeministri zhvilloi takim edhe me shoqatën e bizneseve “Automation Alley”. Aty prezantoi mundësitë për investime në Kosovë dhe për potencialin në rritje të vendit tonë në teknologjinë e informacionit. Ai i ftoi për vizitë në Kosovë për të hulumtuar nga afër mundësitë, që tregu i Kosovës ofron.

Më 16 maj u njoftua për takimet e para të nivelit politik. Kryeministri Kurti është takuar me senatorin Gary Peters dhe kongresistin Andy Levin, në kuadër të vizitës në Michigan.

Po në Michigan, si pjesë e dialogut me mërgatën, Kurti, ka takuar bashkatdhetarët që punojnë në këtë shtet. Më pas mori pjesë edhe në një tubim të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare Shën Pali.

Kurti u prit në takim edhe nga drejtuesit e KODE Labs—KOsova & Detroit, një tjetër kompani në fushën e teknologjisë. Këtë kompani, Kurti e quajti shembull të investimit të kompanive amerikane në Kosovë.

Kurti u rikthye në Ashington për të takuar kongresisten Elissa Slotkin me të cilën u tha se është diskutuar për marrëdhënien e veçantë të të dy vendeve, zhvillimet gjeopolitike në Evropë dhe sigurinë e rajonit pas agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Një takim tjetër pati edhe me kongresistin Jim McGovern, njëherësh kryetar i Komisionit për Rregulla të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kryeministri Kurti është pritur në takim nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan. Kurti pati falënderime për Sullivan për mbështetjen e SHBA, ndërsa Zyra e Kryeministrit tha se amerikani pati falënderim për Kurtin për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë në Kosovë.

Kryeministri Kurti është pritur në takim edhe nga senatorja Joni Ernst. Në këtë takim u tha se është biseduar për zgjerimin dhe thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe fushat zhvillimore.

Ndryshe, për sonte në ora 21:30 me orën tonë lokale, Kurti është i ftuar në Këshillin Atlantik (Atlantic Council) për të diskutuar rreth prioriteteve të politikave vendore, politikës së jashtme dhe agjendës së tij, drejt përmbushjes së tyre.

Vizita e Kurtit në Shtetet e Bashkuara llogaritet të jetë ndër më të gjatat e një lideri shtetëror të Kosovës në një vend tjetër.

Lexo edhe

Video