Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, ishte formuar Qeveria, me kryeministër Ismail Qemalin, e cila kishte filluar ngritjen e institucioneve të Shtetit Shqiptar.
Ndër to, më 17 dhjetor 1912, ishte marrë vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar. Në këtë Vendim thuhej: “Të organizohet një shërbim i fshehur për vise të shkelura të Shqipërisë”.
Vazhdimësia e shërbimit sekret shqiptar ishte parë përsëri pas ardhjes së princ Vilhelm Vidit (në vitin 1913), gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj.
Më 21 janar 1920, Kongresi Kombëtar i Lushnjës kishte bërë organizimin e Këshillit të Naltë dhe kishte risanksionuar ndarjen e pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe krijimin e Ministrisë së Brendshme. Më datë 24 dhjetor 1921, Ministër i Punëve të Brendshme ishte dekretuar Ahmet Zogu, i cili kishte bërë riorganizimin e MPB-së, duke krijuar dhe Seksionin Sekret. Drejtues i këtij Seksioni ishte caktuar Haki Stërmilli.
Në konsolidimin e institucioneve të Shtetit Shqiptar, nga janari 1927, kishte pasur rëndësi edhe organizimi i Shërbimit Informativ të Jashtëm, me qendër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e përfaqësuar nga selitë diplomatike, duke organizuar një rrjet informativ që kishte vepruar i lidhur me mekanizmin konsullatë - legatë -prefekturë. Klane dhe forca politike të ndryshme, gjatë periudhës 1925 -1939, të shtyra nga interesa të ngushta dhe të përkrahura nga jashtë, kishin provokuar trazira, komplote, vrasje, kryengritje, etj., me qëllim destabilizimin e vendit dhe cenimin e sigurisë kombëtare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën dhjetor 1944 - mars 1945, Shteti Shqiptar i kishte kushtuar menjëherë rëndësi të veçantë krijimit të Organeve të Sigurimit të Shtetit. Këto kishin qenë vijuese të Shërbimit Informativ Ushtarak gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Fillimisht, pas çlirimit të vendit ishte krijuar Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila kishte funksionuar deri në vitin 1946, kohë kur ishte krijuar Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1966 ishte bërë riorganizimi në tri drejtori: e para e Kundërzbulimit, e dyta e Udhëheqjes dhe e treta e Zbulimit Politik, strukturë që e kishin ruajtur deri në vitin 1991.
Pas vitit 1990, me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, Organet e Sigurimit të Shtetit ishin reformuar, duke iu përshtatur kërkesave të shtetit ligjor. Kështu, në vitin 1991ishte krijuar Shërbimi Informativ Kombëtar, me Ligjin nr. 7495, më datë 02.07.1991, “Për organizimin e Shërbimit Informativ Kombëtar.”. Detyrë parësore e këtij Shërbimi ishte vendosur parandalimi, zbulimi dhe ndërprerja e çdo veprimtarie antikushtetuese që cenon lirinë, pavarësinë, aftësinë mbrojtëse, tërësinë territoriale dhe pasurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. SHIK-u ishte krijuar si një institucion i depolitizuar dhe si i tillë ai kishte pësuar vazhdimisht ndryshime të herëpashershme. Në vitin 1999, me Vendimin nr. 61, më datë 22.11.1999, të Gjykatës Kushtetuese të RSH-së, ishte ndryshuar emërtimi nga Shërbim Informativ Kombëtar (SHIK) në Shërbim Informativ i Shtetit (SHISH).
Drejtuesit e SHISH-it ndër vite:
29.06.1992 deri 09.04.1997 Bashkim Gazidede
09.04.1997 deri 29.05.1997 Astrit Kodra (i komanduar)
21.08.1997 deri 07.08.2002 Fatos Klosi
07.08.2002 deri 18.11.2002 Petrit Myftari (i komanduar)
27.01.2005 deri 09.08.2012 Bahri Shaqiri
09.08.2012 deri 30.10.2017 Visho Ajazi Lika
05.11.2018 deri 22e në vazhdim Helidon Bendo