100-vjetori i marrëdhënieve, ambasadori britanik bashkëbisedim për diplomacinë dhe kulturën

100-vjetori i marrëdhënieve, ambasadori britanik bashkëbisedim për diplomacinë dhe kulturën

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith, zhvilloi sot bashkëbisedimin “Diplomacia dhe Kultura” në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Tiranë.

Të pranishëm në këtë takim ishin studentë të Universitetit të Tiranës, pedagogë, historianë dhe ekspertë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ambasadori britanik përshëndeti audiencën në gjuhën shqipe, në këtë event që është pjesë e një serie aktivitetesh që Ambasada britanike në Tiranë po zhvillon në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.


“Ne duam ta shohim 100-vjetorin e marrëdhënieve tona si një mundësi për të përmirësuar reputacionin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar si dhe profilin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri. Ne duam të frymëzojmë të rinjtë për më shumë aktivizëm për të formëzuar të ardhmen përmes krenarisë së të shkuarës. Ne duam të krijojmë një partneritet afat-gjatë që do të ndikojë pozitivisht për të ardhmen”, tha ambasadori Alastair King-Smith.

Ambasadori britanik iu përgjigj studentëve të pranishëm duke nënvizuar rëndësinë e shkëmbimeve arsimore, pjesë e shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve.

“Ne duam të stimulojmë shkëmbimet mes universiteteve shqiptare dhe britanike. Në nëntor, isha i lumtur që mora pjesë në hapjen e Programit MA në Gazetarinë Investigative, si pjesë e shkëmbimeve me Universitetin e DeMontfortit në Leicester. Dhe ky është vetëm një shembull i vogël se çfarë mund të bëjmë”, tha ai.

Ambasadori britanik, Alastair King Smith i parapriu edhe aktivitetit të ardhshëm, “Javës Kulturore Britanike”, që do të zhvillohet në javën e parë të shtatorit në Tiranë, i cili do të afrojë edhe më shumë Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. /ATSH

Lexo edhe

Video