10 të vdekur nga COVID-19 në Maqedoninë Veriore

10 të vdekur nga COVID-19 në Maqedoninë Veriore

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë Veriore, Venko Filipçe deklaroi sot se numri i të sapo diagnostikuarve dhe të hospitalizuarve me Covid-19 po rritet me shpejtësi dhe se gjatë javëve të ardhshme situata mund të jetë kritike.

”Megjithatë, sistemi shëndetësor është i gatshëm për valën e re”, deklaroi Filipçe.

Ai theksoi se ”vaksinimi është i sigurt, efikas dhe efektiv”.

”Numri i të sapodiagnostikuarve, por edhe numri i pacientëve, në përgjithësi në gjatë ditëve të fundit po rritet me shpejtësi të madhe. Nëse e shohim dinamikën me të cilën numri rritet, mund te themi se vijojnë disa javë ku situata mund të jetë me të vërtetë kritike”, tha Filipçe, i cili sot ishte për vizitë në spitalin e përgjithshëm në Ohër.


Rritje të numrit të pacientëve ka posaçërisht në disa qytete, siç janë Tetova, Gostivari, Kërçova dhe Kumanova.

”Atje po plotësohen repartet infektive, një pjesë e pacientëve po transferohen në Shkup. Klinika infektive është e mbushur me këta pacientë, gjithsesi edhe me një pjesë të pacientëve të cilët janë diagnostikuar në Shkup. Sistemi është i gatshëm, po ashtu edhe mjekët në ekipet për rotacion. Jemi të gatshëm për presionin të kësaj vale”, tha Filipçe, raporton ATSH.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë Veriore janë realizuar 9.270 testime për COVID-19, prej të cilëve 792 raste kanë rezultuar pozitive. Po ashtu në 24 orët e fundit janë regjistruar 10 viktima dhe 104 të shëruar.

Që nga fillimi i epidemisë në Maqedoninë Veriore janë kryer 1.055.312 testime, prej tyre kanë rezultuar pozitive 161.359. Prej tyre, 150.774 pacientë e kanë fituar betejën me virusin COVID-19, ndërsa jetën e kanë humbur 5.542. Numri i rasteve aktive është 5.043.

Lexo edhe

Video