​Zhvillimet në Veri, Ademi flet me homologun e tij romun për ndeshjen Kosovë-Rumani
Sport
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Sfida e radhës e Kombëtares së Kosovës në futboll në kuadër të kualifikimeve për në Kampionati Evropian do të jetë ajo kundër Rumanisë që do të zhvillohet më 16 qershor në “stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ditëve të fundit, për shkak të zhvillimeve në Veriun e Kosovës, në disa media romune është shkruar në lidhje me sigurinë që mund të ofrohet në këtë situatë për lojtarët e këtij vendi gjatë ndeshjes me Kosovën.

Për këtë çështje, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se ka biseduar me homologun e tij romun Razvan Burleanu të cilin e ka siguruar se në Kosovë do të jenë plotësisht të sigurt dhe të mirëpritur.

Ky është njoftimi i të parit të FFK-së në “Facebook”:

Këto ditë në mediet e Rumanisë kanë qarkulluar disa lajme që flisnin për shqetësimin e presidentit të Federatës së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu, lidhur me sigurinë e tifozëve rumunë për ndeshjen e 16 qershorit kundër Kosovës në Prishtinë, e të cilat shqetësime lidheshin me situatën e fundit në veri të vendit tonë.

Në kuadër të takimeve në UEFA, sot zhvillova një bashkëbisedim me presidentin Burleanu dhe e sigurova se gjendja në Prishtinë është në rregull dhe nuk ka asnjë lidhje me pasigurinë.

Ne si federatë, bashkë me institucionet shtetërore, do të marrim masat e nevojshme për të siguruar që ekspedita e Kombëtares së Rumanisë dhe tifozët e tyre të ndihen të sigurt gjatë qëndrimit në Kosovë, ashtu siç kujdesemi për çdo ekip tjetër.

Kosova, në këtë drejtim, e ka dëshmuar organizimin dhe mikpritjen e jashtëzakonshme për të gjitha ekipet dhe tifozërit e tyre.

I shpreha presidentit Razvan Burleanu mirëseardhje në Kosovë dhe i premtova se do ta kenë pritjen dhe sigurinë sipas të gjitha rregullave dhe protokolleve të UEFA-së.

Ndeshja Kosovë - Rumani do të jetë një përballje futbolli dhe asgjë më shumë, ku do të luhet 'fair-play' dhe në fund do të fitojë më i miri.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024