​Studentët të pakënaqur me jetesën në konvikte dhe ushqyerjen në mensë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Studentët që jetojnë në konvikte në Prishtinë si dhe që ushqehen në mensë nuk janë shumë të kënaqur me shërbimet që iu ofrohen. Kjo bazuar në rezultatet e një hulumtimi të realizuar nga Parlamenti Studentor në të cilën ka përfshirë rreth 500 djem dhe vajza që jetojnë në konvikte dhe ushqehen në mensë.

Studentët që jetojnë në 8 konviktet janë ankuar për dhoma të vogla, shtretër të dëmtuar, mungesë të dollapëve dhe të frigoriferëve.

Denis Krasniqi, pjesë e Parlamentit Studentor, duke prezantuar rezultatet tha se të anketuarit kanë deklaruar probleme edhe me mykin, insektet dhe erën e keqe në dhomat ku jetojnë.

Studentët janë shprehur se ajo çfarë i mungon më së shumti jetesës në konvikte janë programet artistike dhe kulturore, hapësira për zhvillimin e sportit dhe siguria.

Në nivel të përgjithshëm, bazuar në të dhënat e paraqitura në lidhje me kënaqshmërinë e studentëve me jetën në konvikte tregojnë një situatë jo shumë të mirë.

Alban Halimi, gjithashtu nga Parlamenti Studentor, u shpreh se nga ky raportim del se Qendra e Studentëve në Prishtinë ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të eliminuar këto pakënaqësi të studentëve.

Numri më i madh i të anketuarve janë shprehur edhe “mesatarisht të kënaqur” edhe me cilësinë e ushqimit në mensë.

“Mesatarisht të sigurt” janë përgjigjur në masë të madhe kur janë pyetur edhe sa ndihen të sigurtë të konsumojnë ushqim në mensë bazuar në eksperiencat personale.

Shqetësime janë shprehur edhe me ushqime me afat të skaduar, të ftohta, radhë të gjata të pritjes e të tjera.

Halimi tha se ka ankesa edhe për ushqime të njëjta, jo të freskëta dhe me vlera të dobëta ushqyese.

Edhe këtu, konkluzionet e këtij hulumtimi në lidhje me kënaqësinë e studentëve në lidhje me cilësinë e ushqyerjes në mensë tregojnë një situatë jo të mirë dhe shprehin shqetësime.

Sipas Parlamentit Studentor të gjitha përfundimet bashkë me sugjerimet e tyre për të ndërmarrë masa të menjëhershme do t’i dërgohen të gjitha institucioneve relevante./E.Drenica/ 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024