​Qeveria ndan mbi 1 milion euro për kompensimin e dëmeve natyrore në bujqësi

Me një minutë heshtje ka filluar mbledhja e sotme (e mërkurë) e Qeverisë së Kosovës në nderim të rreshterit policor Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Qeveria si mbështetje ndaj familjes së heroit Bunjaku ndau 50 mijë euro, derisa dhanë rreth 15 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve shtëpiake efiçiente, kompensimin e dëmeve natyrore në bujqësi në 14 komuna, rrugën Prishtinë-Podujevë, ndërtimin dhe rinovimin e qendrës nacionale të xhudos në Pejë si dhe rinovimin e disa klinikave në QKUK.

Kryeministri Albin Kurti tha se pesë milionë eurot e ndara për subvencionimin e pajisjeve efiçiente do të jenë për konsumatorët në nevojë për investimin e pajisjeve elektro-shtëpiake, si rrobalarëse, enëlarëse dhe frigoriferë.

Ndërkaq, ministri Murati tha se për shkak të dinamikës së shtuar në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë është e nevojshme të ndahen edhe gjashtë milionë euro.

Krahas këtyre, ekzekutivi ndau mbi 1 milion euro për mbështetje për fermerë që kanë pësuar dëme në bujqësi. Po ashtu, shuma e njëjtë u dha edhe për rinovimin e disa klinikave në QKUK.

Ndërkaq, 5.5 milionë euro janë ndarë për ndërtimin dhe rinovimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.


Në anën tjetër, ekzekutivi shkarkoi edhe Bordin e ndërmarrjes publike “Trepça”, për shkak siç u tha, mos kryerjes së detyrave të veta bazike.

Ata edhe emëruan edhe bordin e përkohshëm në përbërje, kryesuese Rrezarta Pllanën dhe anëtarë Alban Krasniqi, Merita Beqiri-Gashi dhe Dragisha Kërstiq.

Po ashtu, qeveria dërgoi në Kuvend për miratim tre anëtarë vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në përbërje Mirlinda Batalli-Zhubi, Avni Berisha, Jetmir Haxhibeqiri.

Ndërkaq, u dha drita e gjelbër vendimit për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të dëmtuara gjatë viteve 1998-1999./KosovaPress/ 

Lajmi i plotë në sistemin parapagim!

Lexo edhe

Video