​Menaxhimi i mbeturinave vazhdon të jetë sfidë për institucionet

Menaxhimi i mbeturinave vazhdon të mbetet sfidë për institucionet në Kosovë, ku grumbullimi, transportimi dhe deponimi i tyre bëhet pa ndonjë klasifikim. Ky është konkluzioni kryesor i raportit të auditimit të përdormancës “Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”, që sot është diskutuar në komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Subjekt i auditimit kanë qenë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” dhe “Pastërtia”, Komuna e Ferizajt dhe Fushë Kosovës dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë. Të gjitha këto institucione, sipas raportit të auditimit, kanë dështuar të krijojnë kushte për ndarjen dhe trajtimin e mbeturinave.

Deputeti i LVV-së, Enver Haliti, ka paraqitur të gjeturat e raportit të auditimit, ku tha se mungesa e monitorimit dhe inspektimeve të rregullta në të gjitha nivelet është tjetër shkaktar i gjendjes së krijuar me mbeturinat komerciale dhe mos klasifikimin e tyre.

Në bazë të raportit, ai tha se grumbullimi, transportimi dhe deponimi i mbeturinave nuk është duke i plotësuar kushtet e parapara për parandalimin e ndotjes së ambientit.

“Si konkluzion i përgjithshëm i këtij raporti është së në Kosovë operojnë një numër i madh i bizneseve të cilat gjenerojnë mbeturina të ndryshme. Grumbullimi, transportimi dhe deponimi i tyre bëhet pa ndonjë klasifikim adekuat. Mungesa e klasifikimit të mbeturinave ndikon direkt në shëndetin e qytetarëve, se ato mund ta kontaminojnë tokën dhe ujin e pijshëm. Mos krijimi i të gjitha parakushteve të duhura të infrastrukturës, infrastrukturës jo adekuate dhe mungesa e hartimit të të gjitha politikave dhe udhëzuesve për menaxhimin e mbeturinave ka rezultuar me mos klasifikimin e duhur të mbeturinave komerciale, që për pasojë ka mos trajtimin e duhur të mbeturinave brenda deponive”, tha ai.

Zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Linda Çavdarbasha, u është përgjigjur të gjitha kritikave të anëtarëve të këtij komisioni lidhur me këtë raport.

Ajo tha se të gjitha të gjeturat e raportit të auditmit të performancës do të trajtohen në kuadër të strategjisë për menaxhimin e integruar të mbeturinave që është miratuar së voni në ministri.


“Është strategjia për menaxhimin e integruar të mbeturinave viti 2021-2030 dhe gjithashtu plani i veprimit 2021-2023. Gjithçka që i përket mbeturinave është e paraparë në këtë strategji dhe është punuar për një kohë të gjatë në këtë strategji. Pjesa tjetër është ligji për mbeturina, është ndryshuar edhe ai, ka pasur plotësim-ndryshim tash vonë”, tha ajo.

Sa i përket rekomandimit që të ministria të bëjë monitorimin për mënyrën e përdorimit të qeseve të plastikës, zëvendësministrja tha se kanë krijuar një grup punues që për qëllim ka krijimin e udhëzimeve administrative për reduktimin e qeseve të plastikës. Madje, ajo tha se do të jetë viti 2023 kur do të fillohet me implementimin e të gjitha masave që ndërmerr ky grup punues.

“Me qëllim të menaxhimit të drejtë të mbeturinave, me theks në reduktim të qeseve të plastikës një përdorimesh dhe të përdorimit të materialeve ricikluese nga qeset e plastikës. MMPHI e ka formuar një grup punues ku ky grup punues është i përbërë prej të gjithë akterëve të cilët janë të përfshirë në këtë pjesë, përveç institucioneve ka edhe palë të tjera të interesit dhe qëllimi është që të bëhet reduktimi i qeseve të plastikës deri në fund të vitit 2022. Do të përgatisim gjithë udhëzimet administrative, legjislacionin e nevojshëm”, tha Çavdarbasha.

Sa i përket deponive që ministria i menaxhon, Cavdarbasha tha se për deponinë e Mirashit janë duke punuar që të bëhet rehabilitimi i saj.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, e ka quajtur si shqetësues faktin që në Kosovë janë ndërtuar disa impiante për trajtimin adekuat të mbeturinave dhe ende nuk janë funksionale.

“Më shqetësoj fakti kur e kam lexuar këtë material që janë bërë investime mjaftë të mëdha dhe ato investime kanë përfunduar askund. Tash nuk është më rëndësi emri i komunës, por nëse është bërë një investim 3.3 milionë në një komunë dhe është bërë pranimi teknik dhe ende nuk është hapur që dy vite. Mendoj që nuk duhet të ndalemi me kaq, aty ka edhe përgjegjësi ligjore”, tha ai.

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike ishte paraparë që për raportin e auditimit të performancës “Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”, të raportojë ministri Liburn Aliu, por që u tha se i njëjti nuk gjendet në Kosovë./M.Duraku/

Lexo edhe

Video

error: