​Infantino: FSHF po bën punë të palodhur për zhvillimin e futbollit
Sport
Lexohet për: 4 min.
Infantino
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka vlerësuar arritjet e futbollit shqiptar gjatë vitit 2024. Infantino, thekson se përfaqësimi dinjitoz gjatë “Euro 2024”, krijimi i akademisë “Elite Youth Development Academy” dhe plot ngjarje të tjera shoqëruan vitin 2024, ndërsa i uron sukses Kombëtares në edicionin e ri kualifikues për Kupën e Botës.

Më poshtë mesazhi i plotë i Presidentit të FIFA-s, Infantino:

“I dashur President, I dashur Armand, të dashur miq dhe kolegë të Federatës Shqiptare të Futbollit, çfarë viti ka qenë 2024-a për futbollin shqiptar!

Ka shumë gjëra për t’u festuar këtë mbrëmje. Mund ta imagjinoj se si çdo tifoz shqiptar anembanë botës është ngazëllyer dhe frymëzuar nga performanca e Kombëtares në EURO 2024.

Rikthimi në EURO për herë të dytë në tre edicione ishte një arritje e shkëlqyer dhe, në një grup jashtëzakonisht të fortë, ekipi duhet t’ju ketë bërë të gjithëve shumë krenarë.

Me 16 vende tani të disponueshme për ekipet europiane në Kupën e Botës FIFA 2026, duhet të jeni vërtet optimistë për të bërë histori duke u kualifikuar për herë të parë në turneun final.

I uroj trajnerit Sylvinho dhe të gjithë lojtarëve të tij, fat të mbarë për kualifikueset e ardhshme. Dhe, sigurisht, ekipi Kombëtar i vajzave duhet të jetë po aq ambicioz me qëllimin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për Vajza FIFA 2027 në Brazil.

Suksesi në fushë është, sigurisht, rezultat i punës së palodhur të Federatës Shqiptare të Futbollit jashtë fushës, nën drejtimin e Presidentit Duka.

“Elite Youth Development Academy” që u hap në shtator do të sigurojë sukses të qëndrueshëm në vitet në vijim, dhe turnetë e shumtë që u zhvilluan gjatë vitit ndihmuan në ruajtjen e rritjes së futbollit të bazës në gjithë vendin. Dhënia e mundësisë për talentet tuaja më të mira, vajza dhe djem, për t’u testuar kundër ekipeve nga shtete të tjera, u jep atyre dhe të gjithëve që janë të lidhur me futbollin shqiptar, mundësi të shkëlqyer për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të shpërthyer.

Ky është parimi që qëndron pas rritjes së numrit të ekipeve dhe frekuencës së Kupave të Botës të FIFA U-17 për djem dhe vajza, dhe mezi pres të shoh përpjekjet tuaja të shpërblyera me përfaqësimin e Shqipërisë në nivel global në të ardhmen e afërt.

Sigurisht, lojtarët e të gjitha grupmoshave dhe aftësive kanë nevojë për kushte dhe trajnerë, dhe unë u impresionova duke parë hapat përpara që keni bërë edhe në atë fushë. Një numër i madh fushash janë vendosur dhe dy stadiume janë rinovuar, ndërsa ekspertiza e nivelit të lartë është sjellë për të ndarë njohuri dhe praktikat më të mira për të siguruar që lojtarët tuaj të marrin trajnimin më të mirë të mundshëm.

Po ashtu, duke parë kurset e arbitrimit dhe ëorkshop-et në nivel europian që keni organizuar në vitin 2024, është e qartë se futbolli është i gjallë dhe po lulëzon në vendin tuaj që e do futbollin, dhe pa dyshim që do të rritet akoma më shumë në vitin 2025. Tani, urime fituesve të çmimeve të vitit 2024 për arritjet e tyre dhe, sigurisht, ju uroj të gjithëve një mbrëmje të mrekullueshme.

Faleminderit shumë. Shihemi së shpejti. Një përqafim për të gjithë, mirupafshim”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025