​FDHK: Katër raste të krimeve të luftës pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Katër raste të krimeve të luftës po qëndrojnë pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Kështu u tha me rastin e prezantimit të raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, në kuadër të diskutimit “Gjykimi i krimeve të luftës në mungesë – Veprim i duhur?". Aty u theksua se efikasiteti në këtë fushë nuk është i kënaqshëm.

Koordinatori i projektit, Amer Alija ka prezantuar raportin "Gjykimet për krimet e luftës: pa përparim të dukshëm", ku tha se gjatë vitit 2022 janë arrestuar pesë persona për krime të luftës.

"Që nga përfundimi i luftës institucionet gjyqësore i kanë dënuar vetëm 72 persona, janë vrarë më shumë se 10 mijë viktima civile. Në këtë raport janë trajtuar 13 raste gjyqësore. Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës e kemi një stagnim të punës në katër raste. Vonesa të tilla mund të rrezikojnë efektivitetin, në anën tjetër viktimat dhe dëshmitarët sigurisht që do të zhgënjehen. Efikasiteti në ndjekjen penale nuk është i kënaqshëm. I kemi adresuar edhe ngecjet dhe i kemi rekomanduar disa hapa që duhet të ndërmerren nga ana e gjyqësorit", tha ajo.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari u shpreh se pas pranimit të mbi 900 rasteve për krime lufte, kanë arritur një menaxhim të mirëfilltë të këtyre rasteve.

"Kemi caktuar prioritete, masakra, dhunime seksuale dhe raste që kemi pasur prova të mjaftueshme të krimeve. Në fillim të marrjes së kompetencave kemi punuar dy prokurorë, tash jemi katër... Shumica e provave materiale ndodhet në Tribunalin e Hagës. 11 milionë prova të ndryshme ndodhen atje, nuk do të thotë që janë të gjitha për Kosovën", u shpreh ajo.

"Ne jemi në përgatitjen e disa aktakuzave për gjykimin në mungesë", ka shtuar ajo.

Avokati Artan Qerkini u shpreh se gjykimi në mungesë ka qenë domosdoshmëri.

"Kodi i Procedurës Penale ka hyrë në fuqi me datën 18 shkurt të këtij viti dhe janë paraparë disa veprime, do të kërkohet qe ftesa së bashku ke aktakuzën të publikohen në uebfaqen e prokurorisë dhe në gazetën zyrtare. Është një garanci shtesë për të pandehurin, nëse ai arrestohet ka të drejtë të kërkojë rigjykim", u shpreh ai.

Zëvendësshefja e Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, Pualine Menthonnex Gacaferri tha se bashkëpunimi mes autoriteteve të Kosovës e Serbisë është thelbësor për të arritur progres. 

"Deri më tani nuk ka pasur gjykim në mungesë. Dhe kjo do të shkonte kundër praktikave që shihen dhe promovohen në arenën ndërkombëtare të sundimit të ligjit. Për të ngritur akoma më shumë performancën e institucioneve, për të ofruar kapacitete të mëtutjeshme, së dyti themelimi i bashkëpunimit mes autoriteteve gjyqësore mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte thelbësore për të arritur progres", tha ajo.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024