​Ekspertët amerikanë: Qëndrimi i SHBA i pabalancuar, duhet presion edhe mbi Beogradin
Lajme
Lexohet për: 4 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Ditët e fundit i dërguari i posaçëm amerikan, Gabriel Escobar dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i kanë shprehur publikisht mosmarrëveshjet mes tyre. Përplasja mes dy palëve vjen mes një trysnie të shtuar nga SHBA dhe BE ndaj Prishtinës dhe Beogradit për të çtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.

Në Uashington dy analistë amerikanë, Luke Coffey i Institutit Hudson dhe Charles Kupchan i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë shprehën mendime të ndryshme për Zërin e Amerikës lidhur me mënyrën se si po vepron diplomacia perëndimore, sidomos ajo amerikane.

Që pas ngjarjeve të javës së kaluar në veri të Kosovës, Uashingtoni ka qenë kritik në mënyrë të pazakontë ndaj Prishtinës, përfshirë deklaratat e të dërguarit të posaçëm amerikan, Gabriel Escobar ndaj kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd.

Për analistin e Institutit Hudson, Luke Coffey, qëndrimi i administratës së presidentit Joe Biden, ka qenë i pabalancuar.

“Mendoj se mënyra se si zoti Escobar i është qasur kësaj çështjeje ka qenë pothuajse e papërgjegjshme, të paktën jo shumë e sofistikuar në aspektin e diplomacisë amerikane. E kuptoj dëshirën për të ushtruar presion ndaj të dyja palëve nga qeveria amerikane, por duket se kohët e fundit presioni ka qenë në mënyrë joproporcionale kundër Kosovës, të paktën publikisht. Dhe mendoj se kjo është e pashëndetshme”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Coffey, një analist konservator, e hedh poshtë argumentin se Shtetet e Bashkuara u zunë në befasi nga veprimet e qeverisë së Kurtit në veri pa koordinim me Uashingtonin, duke thënë se nëse kjo është e vërtetë, është një dështim i angazhimit dhe diplomacisë amerikane.

“Do të ishte kulmi i paaftësisë nëse Ambasada amerikane nuk e dinte se Qeveria e Kosovës do të përpiqej të dërgonte kryetarët në ndërtesat e komunave”, thotë ai.

Kupchan, megjithëse mendon se politika që po ndjek administrata amerikane është e drejtë, ai shton se Serbia ka qenë gjithmonë një lojtar i vështirë dhe gjasat janë që i nxiti serbët në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

“Megjithëse unë mendoj se kritikat ndaj Kurtit janë të justifikuara, presioni duhet të ushtrohet si mbi Prishtinën ashtu edhe mbi Beogradin nëse do të shohim përparim drejt normalizimit dhe zbatimit të marrëveshjeve, përfshirë një formë të vetëmenaxhimit të serbëve në Kosovë”, tha ai.

Kupchan tha se Asociacioni duket të jetë pika kryesore e ngecjes.

“Për mendimin tim, (Asociacioni) është gjithashtu çelësi që do të çonte në një përparim në mënyrë që shumica serbe që jeton në veri të lumit të ndjente se ka një zë në institucionet, qeverisjen e Kosovës dhe që të ndjehen shumë më komodë për t'u integruar në vend”, tha ai.

Kupchan e pranon se me strukturat paralele dhe manipulimin e popullatës serbe brenda Kosovës nga ana e Beogradit, Kosova ka të drejtë të jetë e acaruar. Por, sipas tij, çështja qëndron diku tjetër.

“Cila është rruga më e mirë që qeveria duhet të ndërmarrë për të arritur në një paqe të kënaqshme, të qëndrueshme dhe afatgjatë, ku Serbia të krijojë një marrëdhënie normale me Kosovën dhe në fund të fundit, të gjitha vendet e botës, përfshirë Serbinë, ta njohin Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran”, vijoi ai.

Coffey mendon se shqetësime për një “Republikse Sërpska” brena Kosovës janë legjitime.

“Mendoj se shqetësimi për një tjetër Republika Srpska është shumë legjitim dhe i vlefshëm. Megjithatë, besoj se diskutimet për këtë Asociacion dhe proceset që do të çojnë ndoshta në themelimin e tij duhet të bëhen para së gjithash me dyer të mbyllura, sepse kjo është një çështje e delikate”, thotë për Zërin e Amerikës.

Tensionet në tri komunat veriore të vendit u rritën më 26 maj kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill nuk u lejuan të hyjnë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale dhe u desh asistimi i Policisë së Kosovës. Faktori ndërkombëtar i ka paraqitur Kosovës tri kërkesa, siç janë ulja e tensioneve në veri duke tërhequr policinë, shpallja sa më e shpejtë e zgjedhjeve dhe rikthimi në dialog.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024